Kurti s’do t’i bëjë ministra të gjithë ata që i prezantoi në tetor

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin e qeverisë “Kurti 3” në raport me emrat që i pati prezantuar në Kuvend kur e kërkonte votën muaj më parë.

Më 26 tetor 2025, Kurti pati dështuar të siguronte shumicën në Kuvend pasi prezantoi përbërjen me të cilën synonte të merrte votën për të qeverisur. Bëhet fjalë për periudhën e bllokadës në Kuvend.

“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar edhe unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, ka thënë ai në një deklaratë për mediat pas përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.

Në listën e të nominuarve nga Kurti ishin përfshirë emra të rinj, teksa ishin lënë jashtë ai i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i ministres në detyrë të Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari, i ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Për postin e ministrit të Infrastrukturës, Kurti pati propozuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha.

Detyrën për ta udhëhequr ministrinë e re, atë për Familje e Mirëqenie Sociale, ia pati besuar Andin Hotit. E në atë për Kulturë dhe Turizëm e pati propozuar aktorin Fatmir Spahiu.

Për ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kurti kishte nominuar Fitore Pacollin, e cila nuk ka mbajtur post ministror në Qeverinë Kurti 2.

E ministren e deritanishme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e pati propozuar që ta marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila më parë është udhëhequr nga Albulena Haxhiu.

Në dy raste, pos Kurtit edhe Glauk Konjufca si mandatar për kryeministër patën propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 15 në 19.

Në këtë deklaratë, Kurti tutje pati thënë se Kuvendi duhet të formohet sa më shpejt dhe të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare për qindramiliona euro përfitime për Kosovën. Ai ka kujtuar edhe domosdoshmërinë që buxheti të miratohet sa më shpejt.

Në zgjedhjet e fundit, të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit mori më shumë se 50 për qind të votave. Këto vota i mjaftojnë për të formuar qeverinë në bashkëpunim vetëm me pakicat.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu