Deputetja e VV-së dhe ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka zbardhur detaje lidhur me idenë dhe planin që po zihej për ndryshimin e kufijve.
Ajo ka nënvizuar në emisionin “Pa maskë” se kjo ide i ishte konfirmuar edhe nga përfaqësues ndërkombëtar, që kishin ardhur në Kosovë për të matur pulsin.
Kusari Lila ka thënë se ideja për ndryshimin e kufijve është shumë e rrezikshme për të gjithë rajonin. Sipas saj, një ide e tillë ka ekzistuar dhe është promovuar me para të buxhetit të shtetit të Kosovës, ndërsa personifikim i kësaj ideje është presidenti Hashim Thaçi.
Madje, ajo ka thënë se një gjë të tillë e kanë të konfirmuar edhe në takimet me përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, njofton 24-ore.info.
“Ideja për ndryshim të kufijve ka qenë. Ne e kemi të konfirmuar edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë që kanë ardhur në Prishtinë dhe kanë diskutuar edhe me përfaqësues të partive politike të cilët e kanë prezantuar idenë. Kjo ide ka përfshirë disa fshatra të Preshevës, jo qytetin. Jo vijën e hekurudhës, me tri komuna të veriut, me menaxhim të veçantë të Ujmanit, me menaxhment të kombinuar të Trepçës dhe kështu me radhë”, ka deklaruar Kusari – Lila.
Ajo shtoi se kjo i është thënë edhe asaj personalisht nga përfaqësues ndërkombëtarë, mirëpo nuk ka zbuluar emrat.
“Nuk mund ta them me emër, por ka qenë përfaqësues ndërkombëtarë që ka ardh ta sheh disponimin e partive politike shqiptare parlamentare në raport me këtë ide të prezantuar nga presidenti”, ka thënë Kusari – Lila duke shtuar se një gjë e tillë u është kumtuar nga profile të larta ndërkombëtare.










