Grupi terrorist Al Nusra deklari sot se Mert Altintas që vrau ambasadorin rus në Turqi ishte ushtar i tyre duke e cilësuar këtë akt si një hakmarrje për atë që po ndodh në Alepo të Sirisë.
Në deklaratën e shpërndarë mësohet se Altintas ka qenë element i grupit terrorist “Xhejsh el Fateh” ose “Ushtria Çlirimtare”, e cila operon nën komandën e grupit terrorist Al Nusra.
“Vëllai ynë mori hakun për të gjithë fëmijet, gratë dhe gjakun e muslimanëve që janë vrarë në Alepo. Ne jemi të detyruar që të largohemi nga Alepo, por kjo nuk do të na ndalojë kurrë që të marrim hak për popullin atje. Me lejen e Allahut, shumë shpejt do të kthehemi si fitues në Ankara, Moskë, Bagdat dhe në të gjitha tokat myslimane”, shkruante grupi terrorist në deklaratën e marrjes përsipër të vrasjes së ambasadorit rus, transmeton Albeu.com
Por kush janë “Xhejsh el Fateh”, të cilët me vrasjen e ambasadorit rus kanë shkaktuar një krizë të madhe diplomatike?
Ata janë formuar në mars të vitit 2015 dhe operojnë kryesisht në zonën e Idlibit në Siri duke qënë nën varësinë e Al Nusras.
Instituti për Studimet mbi Luftën në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksonte në tetor të vitit të shkuar se terroristët e “Xhejsh el Fateh” kishin ndikim të madh në zona si Idlibi, Hama dhe Daraa, të cilat janë gjithashtu qytete pranë kufirit me Turqinë.
Sipas këtij instituti, pjesë e grupit, por me një numër të vogël ushtarësh janë edhe “Vëllazëria Muslimane e Sirisë”, të cilët janë të fokusuar në Idlib.
Grupet në fjalë ishin pjesë e luftës për Alepon ku raportohet se janë thyer nga forcat e Presidentit Asad dhe aleatët e tyre të atjeshëm, Rusia. Ashtu siç edhe deklaroi atentatori i ambasadorit rus në Ankara, Mert Altintas, vrasja e tij erdhi pikërisht si hakmarrje për luftën në Alepo.
“Xhejsh el Fateh” akuzohet për krime lufte nga organizatat ndërkombëtare në tre raste. Rasti i parë është ai i masakrimit të 20 civilëve të komunitetit “Druzi” në qytetin e Idlibit në qershor 2016, rasti i dytë është aksioni sëbashku me Al Nusra-n për të vrarë 42 civilë në zonën e Hama-s. Rasti i tretë është ai i tetorit 2016 ku akuzohen se kanë vrarë 38 civilë, mes tyre edhe 14 fëmije në Alepo.