500 milionë euro për të rindërtuar Real Madridin. Sipas “Don Balon”, Florentino Perez dëshiron të bëjë revolucion të vërtetë në skuadrën e tij, duke fituar fonde për një fushatë blerjesh faraonike. Për presidentin e “Los Blancos”, askush nuk është i paprekshëm dhe të gjithë e kanë një çmim, duke filluar nga Marco Asensio dhe Isco, të cilët kërkojnë më shumë hapësirë.
Për të parin do të pranonte vetëm propozimet nga 120 milionë euro, për të dytin lëkundet edhe për 80 milionë euro. Në merkato, gjithashtu, mund të dalë edhe Gareth Bale. Kërkesa fillestare e Realit për yllin uellsian do të jetë 150 milionë euro, por edhe për 100 milionë mund të jetë dakord. “Lamtumira” e Benzema është vlerësuar me 60 milionë euro, 20 milionë më pak se do të kushtonte Luka Modric, pasi tani është 33 vjeç.
Edhe Marcelo me Sergio Ramos nuk konsiderohen të paprekshëm, veçanërisht nëse do të kthehet Jose Mourinho. Portugezi nuk do të merret me asnjërin prej tyre, ndaj nga shitjet e mundshme të dy lojtarëve në fjalë, Perez ka në plan të fusë në xhep 100 milionë euro të tjerë.
PERFORCIMET – Në një skenar të tillë, natyrshëm lind pyetja: Cilat janë përforcimet? Sa për sulmin, emrat në krye të listës janë dy të zakonshmit, Neymar dhe Mbappé. Për mbrojtjen janë fokusuar Eder Militao dhe David Alaba. I pari është një lojtar qendror, 21 vjeç, që luan te Porto, i rekomanduar nga Mourinho dhe për të cilin “Dragonjtë” kërkojnë të paktën 50 milionë euro.
Sa për Alaba, lojtari austriak dëshiron të ndryshojë mjedis dhe Real Madridi është zgjedhja e tij e parë. “Los Blancos” do të jenë të gatshëm të ofrojnë 60 milionë euro për kartonin e tij, por kërkesa e bavarezëve është më e lartë: 80 milionë euro. Në të kundërt, Alaba mbetet aty ku është. Prej disa kohësh është folur për një kthim të mundshëm të Mourinhos, por në dhomën e zhveshjes ka lojtarë kundër trajnerit portugez.
Para së gjithash është kapiteni Sergio Ramos. Qendërmbrojtësi spanjoll, në vend të kësaj ideje, do të shtyjë për të marrë Joachim Loew, trajneri i Gjermanisë, që në javët e fundit nuk e ka mbajtur sekret ambicien e tij për ta drejtuar një ditë Real Madridin.










