Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njëherësh kryetare e Guxo, u propozua dje nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.Ajo mori vetëm 56 vota, derisa dhe deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti Selimi nuk e votoi atë.
Nga VV kanë thënë se i kanë edhe katër emra për kandidatë, duke mos i bërë të ditur.
Lidhur me këtë, analistja politike, Magbule Shkodra, thotë për Gazeta Blic se Gërvalla u kandidua nga VV vetëm për t’u shfajësuar se e bënë një tjetër propozim pas Haxhiut, por që nuk ishte serioz.
“Propozimi së pari i Albulena Haxhiu që nuk i kishte votat edhe më herët në votim të hapur, tregoi se VV nuk e ka vullnetin për ta bërë zgjedhjen e kryeparlamentarit. Në anën tjetër, propozimi i Donika Gërvallës, e dimë se ajo nuk gëzon reputacion as si ministre e zonja dhe njihet për deklarimet e saj sa i përket krerëve të UÇK-së që janë në Hagë, ajo nuk gëzon përkrahje nga partitë tjera dhe po ashtu ju rikujtoj se PDK ka thënë se nuk do të votojë asnjërin kandidat që mban post ekzekutiv, pra ky propozim më është dukur si zvarritje, vetëm sa për t’u shfajësuar LVV, për të thënë se ja ne e bëmë dhe një propozim tjetër, pra nuk ishte propozim serioz”, thekson ajo.
Sipas analistes, emrat nuk dihen se kë do ta propozojë tjetër VV-ja, por që janë disa mundësi nëse i kandidon gratë më të votuara, shefat e partive tjera që janë në koalicion apo ministrat.
“Varet se çfarë logjike ka përcjellë VV me propozime. Nëse ka vendosur të propozojë gratë më të votuara, në radhë pas Gërvallës mendoj se është Mimoza Kusari-Lila e pas saj Shqipe Selimi. Nëse e ndjekim këtë logjikë, mendoj se do t’i bëjë këto dy propozime. Nëse vazhdon po ashtu të përcjellë logjikën e propozimit të kryetarëve të partive, siç ishte Gërvalla nga Guxo, atëherë sërish në radhë është Mimoza Kusari-Lila dhe nëse ndiqet kjo, mund të jetë i propozuar edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj. Dhe logjika tjetër, nëse vazhdon t’i propozojë vetëm ministrat të cilët janë ende mbajnë pozitën e deputetit dhe të ministrit, atëherë edhe kjo është një praktikë bllokuese. Emrat nuk i di se kë mund ta propozojnë por ta shohim se a do të jenë emra konsensual sepse edhe aktgjykimi kërkon konsensus dhe kjo do të duhej të merrej parasysh nga VV”, potencon Shkodra për Gazeta Blic.