Kush janë katër kandidatët që po synojnë të marrin kreun e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës sot mban Kuvendin zgjedhor për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë që do ta pasojë Isa Mustafën.Kandidaturën e tyre për kryetar e kanë konfirmuar Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Anton Quni dhe Besian Mustafa.

Statuti i LDK-së e përcakton se kandidaturat për kryetar bëhen në punimet e kuvendit. Neni 25 i statutit e parasheh që “secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm”.

Duke marr parasysh faktin se kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, duke përfshirë edhe kryetarin e partisë, secilit kandidatë potencialë i nevojiten 178 vota përkrahëse për të hyrë në listën e kandidatëve për kryetar.Por, në rast se kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për kryetar.

Më poshtë gjeni profilin e tre kandidatëve deri më tash për kryetar të LDK-së:

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku ka lindur më 22 prill 1983. Abdixhiku përfundoi studimet universitare në Universitetin e Prishtinës; Lumir mori gradën Master i Shkencave në vitin 2006 nga Universiteti Staffordshire në Britani; në fushën e Moralit Fiskal.

Në vitin 2013 ai mori Doktoraturën e tij në ekonomi nga Universiteti Staffordshire pas katër vjet kërkimesh dhe hulumtimesh në fushën e përcaktuesve të evazionit të taksave të biznesit në vendet në tranzicion. Abdixhiku është gjithashtu Drejtori Ekzekutiv i Institutit Riinvest. Ai u bashkua me Institutin në 2005 dhe që atëherë ka qenë i përfshirë në disa projekte kërkimore, avokuese dhe zhvillimore – në Kosovë dhe jashtë saj.

Ai ishte ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit nën Qeverinë Kurti . Para kësaj, Abdixhiku ishte Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2017-2019.Në zgjedhjet e vitit 2019, Abdixhiku ishte politikani i 9-të më i votuar në Kosovë dhe filloi mandatin e tij të dytë si deputet i Kuvendit të Kosovës. Aktualisht ai është anëtar i Kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lutfi Haziri

Lutfi Haziri u lind më 8 nëntor të vitit 1969 në Gjilan. Ai është biolog me profesion, ndërsa gjatë viteve ’90-ta, ishte anëtar i strukturave udhëheqëse të studentëve në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 1990, ishte anëtar i strukturave të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës dhe udhëheqës i një varg funksionesh në kuadër të strukturave paralele ekzistuese në Kosovë.

Në mars të vitit 1990, u zgjodh kryetar i Degës së Forumit të Rinisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe në këtë funksion ishte deri në vitin 1997. Në vitin 1997, u zgjodh zëvendëskryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Haziri i kreu që të dyja këto funksione deri në vitin 2000.

Anton Quni

Është i lindur më 09 qershor 1967 në fshatin Fshaj të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Bishtazhin të Gjakovës, shkollën e mesme ushtarake në Beograd, kurse studimet me rezultate të shkëlqyera në Akademinë Ushtarake në Beograd dhe Sarajevë gjatë periudhës akademike 1986-1990.

Pas diplomimit, si oficer i karrierës ka shërbyer në detyra të ndryshme të liderit ushtarak duke arritur deri në pozitën e komandantit të kompanisë në ish-APJ kur edhe largohet me fillimin e shpërbërjes së saj më 1991. Për shtatë vite ka jetuar dhe vepruar në Zvicër dhe Kroaci. Me fillimin e luftës në Kosovë më 1998, i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në detyrën e komandantit të Batalionit Diversant-Vëzhgues.

Më 1999 emërohet në detyrën e Shefit të Shtabit të GO-3 e cila më vonë shndërrohet në Brigadën 138 “ Agim Ramadani“.Pas shpërbërjes së UÇK-së në vitin 1999, karrierën ushtarake e vazhdoi në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Për katër vite e kreu detyrën e shefit të Shtabit të Qendrës për Trajnim Kolektiv, e pastaj më 2003 emërohet shef i Shtabit të Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës.

Pas shpërbërjes së TMK-së dhe krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, më 2009 emërohet këshilltari ushtarak i komandantit të FSK-së me gradën Kolonel, detyrë të cilën e ushtron deri në vitin 2010. Nga kjo pozitë kalon në Presidencën e Republikës së Kosovës si këshilltar politik për çështje të sigurisë së Presidentit të vendit.

Besian Mustafa

Besian Mustafa, u lind më 14.08.1984 në Prishtinë. Shkollimin fillor e ka mbaruar në SH.F.M.U. “Dardania”, në Prishtinë, ndërkaq shkollimin e mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri’’ në Prishtinë dhe “Auburn High School” në ShBA.Studimet bachelor i ka përfunduar në Universitetin La Roche në ShBA, në drejtimet financa dhe kontabilitet, ndërsa studimet Master në Universitetin e Qytetit në New York, ShBA.

Një profesionist i nivelit të lartë me përvojë si menaxher, drejtor dhe anëtar i bordeve të organizatave private, publike dhe jofitimprurëse për më shumë se 10 vite.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu