Kuvendi i Kosovës ka pasur përmirësim të dukshëm të transparencës, hapjes për qasje të lirë në informacion dhe respektim të procedurave. Kështu thuhet në gjetjet e “Analizës mbi Qeverisjen e Hapur të Kuvendit të Kosovës”, të prezantuar nga Open Data Kosovo, duke shtuar se, ky institucion mban një marrëdhënie të mirë me shoqërinë civile.
Nga viti 2016, kur është bërë ky hulumtim, deri në vitin 2019, ka pasur një përmirësim të hapjes së Kuvendit të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës shënoi rezultat prej 60 për qind në treguesit e hapjes. Megjithatë, kishte hapësirë për përmirësim. Po ashtu, në aspektin e qasshmërisë u shënuar 47.73 për qind dhe 50 për qind kur ishte fjala për aspektin e efektivitetit, i cili lidhet me planifikimin strategjik dhe monitorimin parlamentar si mjet të hapjes”, thuhet në hulumtim, përcjell Telegrafi.
Të gjeturat e vitit 2017 tregojnë se ky institucion ka shënuar 60 për qind të indikatorëve.
“Ky institucion duke u bazuar në treguesit e hapjes, shënoi 49 për qind. Rezultati nuk u vlerësua si i kënaqshëm, duke marrë parasysh që në matjen e fundit, Kosova u rendit e dyta në rajon duke shënuar 60 për qind të indikatorëve. Kjo tregoi se nuk kishte pasur ndonjë rritje në përpjekjet për hapjen parlamentare, prandaj vendi kishte një rënie prej tre vendeve më poshtë”, tregojnë të gjeturat.
Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës shënoi përmirësim prej 73 për qind të hapjes.
“Kuvendi i Kosovës shënoi gjithsej 73 për qind. Renditja e Kosovës në vitin përkatës ishte më e kënaqshme se ajo e një viti më parë, duke shfaqur një rritje të përpjekjeve për hapjen e Kuvendit me shumë mjete dhe mekanizma të krijuar si Forumi i Transparencës, zyra për bashkëpunim me shoqërinë civile, hapja e takimeve të komisionit. Kuvendi i Kosovës shënoi 55 për qind në parimin e qasshmërisë, 80 për qind në komponentën e ndërgjegjësimit, 82 për qind në parimin e integritetit dhe 78 për qind në parimin e transparencës”¸ thuhet në punim.
Për shkak të përpjekjeve, në vitin 2019, ky institucion shënoi përmirësim prej të dukshëm.
“Kuvendi i Kosovës shënoi një rezultat të përgjithshëm prej 80.5 për qind në aspektin e hapjes për vitin 2019. Ky rezultat tregon se Kuvendi ka rritur hapjen e tij me kalimin e viteve. Kur u mat për herë të parë në vitin 2016, Kuvendi i Kosovës shënoi 60 për qind në tregues, ndërsa tani rezultati tregon përmirësim për shkak të përpjekjeve të bëra ndër vite. Nëse do të krahasonim një rezultat të tillë në një kontekst rajonal, Kuvendi i Kosovës ka shumë për të bërë në aspektin e hapjes së tij, megjithatë, në kontekstin kombëtar një përmirësim i tillë është i kënaqshëm”, tregon hulumtimi. Në këtë punim thuhet se Kuvendi i Kosovës është i qasshëm përmes kanaleve të medieve sociale.










