Sot Kuvendi do të mbajë seancën e 75-të, në të cilën në rend të ditës është edhe zgjedhja e ministrave të rinj për Çështje Evropiane dhe Mjedis, përcjell TV21. Si pikë e parë në rendin e ditës është Propozimi për shkarkimin e Orhan Murtezanit nga funksioni i ministrit në Ministrinë për Çështje Evropiane, ndërsa si zv/kryeministër dhe ministër për Çështje Evropiane është propozuar deputeti aktual dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë erdhi pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor, pasi Izet Medzhiti u zgjodh kryetar i Komunës së Çairit, duke lënë detyrën e zv/kryeministrit dhe ministrit për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor. Si ministër i ri për Mjedis është propozuar ish-zëdhënësi i qeverisë së kaluar, Muamet Hoxha.
Në rendin e ditës janë edhe: Propozimi për emërimin e një anëtari jo-ekzekutiv në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Propozimi i ligjit për ratifikimin e Protokollit Shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Marrëveshjes për ndryshime dhe aderim në Marrëveshjen Qendrore Evropiane për Tregti të Lirë, Propozimi i ligjit për huamarrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit “Rinovimi i parkuar të trenave mallrash” të Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut-Transport SHA Shkup, sipas procedurës së shkurtuar, Propozimi i ligjit për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, sipas procedurës së shkurtuar, dhe Propozimi i ligjit për ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, sipas procedurës së shkurtuar.
Para deputetëve do të jenë edhe disa propozim-vendime për miratimin e programeve vjetore të disa institucioneve – Propozim-vendimi për miratimin e Programit Vjetor të Punës së Agjencisë së Postave për vitin 2026 dhe Propozim-vendimi për miratimin e Programit Vjetor të Punës dhe Zhvillimit për vitin 2026 të Agjencisë për Rregullimin e Sektorit Hekurudhor dhe Strategjia e rishikuar fiskale e Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2026-2030.








