Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut njoftoi të dielën se ka gjetur 350.000 euro të fshehura në një mur gjatë kontrolleve në shtëpinë e prindërve të një gjyqtari të Gjykatës së Apelit, si pjesë e një hetimi të gjerë për korrupsion të nivelit të lartë.
Sipas prokurorisë, hetimi lidhet me gjyqtarin e Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, dhe është zgjeruar pas veprimeve intensive hetimore që kanë nisur në mesin e dhjetorit. Çështja fillimisht u hap më 14 dhjetor, kur një avokat u vu nën dyshim për veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.
Prokuroria bëri të ditur se provat e siguruara gjatë hetimit çuan në dyshime ndaj gjyqtarit për “përfitim dhe fshehje të kundërligjshme të pasurisë”, me dyshime se pasuria është siguruar, ndër të tjera, përmes korrupsionit dhe tregtimit të ndikimit.
Në bazë të një urdhri gjyqësor, autoritetet kryen të shtunën një kontroll të detajuar në një pronë në qytetin e Negotinës, në pronësi të prindërve të gjyqtarit të dyshuar. Gjatë kontrollit, hetuesit zbuluan 350.000 euro të fshehura në një hapësirë të murosur brenda murit, për të cilat ekzistojnë dyshime se janë përfituar dhe fshehur në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria njoftoi se kontrollet dhe veprimet e tjera hetimore janë ende në zhvillim dhe se publiku do të informohet për hapat e mëtejshëm të procedurës.
Sipas autoriteteve, ky konsiderohet një nga hetimet më të mëdha deri më tani në vend për dyshime për korrupsion të nivelit të lartë dhe mbështetet në informacione të siguruara nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Veprimet hetimore po koordinohen nga një prokuror publik dhe po zbatohen nga Njësia për Luftë Kundër Krimit të Organizuar pranë Ministrisë së Brendshme, në bashkëpunim me Policinë Financiare.
Gjyqtari i dyshuar lidhet me një çështje ryshfeti, në të cilën së fundmi u arrestua avokati Fehmi Stafa. Një muaj më parë, prokuroria bëri të ditur se një ish-avokat shtetëror kishte kërkuar 100.000 euro ryshfet dhe kishte pranuar 50.000 euro për të ndikuar te një gjyqtar me qëllim heqjen e masës së paraburgimit, pa e identifikuar publikisht gjyqtarin në fjalë./INA/











