Këshilli i Europës të hënën do të diskutoj rreth dialogut mes Kosovës e Serbisë, derisa Përfaqësuesi Special i BE’së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajcak, javën tjetër viziton Prishtinën e Beogradin, pas këtyre diskutimeve.
Kështu ka njoftuar agjencia serbe e lajmeve Tanjug, se ministrat e jashtëm të BE’së, të hënën me 12 tetor, në takimin në Luksemburg do të shqyrtojnë dialogun mes Kosovës e Serbisë, kanë njoftuar nga Këshilli i Europës.
Lajcak do të informoj të hënën shefat e diplomacisë së shteteve anëtare për herë të parë që prej se mori mandatin e ndërmjetësuesit rreth zhvillimeve në dialogun mes palëve kosovare dhe serbe.
Që prej rifillimit të bisedimeve në korrik të 2020 janë mbajtur tre takime të nivelit të lartë politik mes Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.
Janë mbajtur edhe pesë raunde të bisedimeve të delegacioneve të udhëhequra nga krerët e delegacioneve, Skender Hyseni dhe Marko Djuric.
Në BE është theksuar si ambicia që të arrihet marrëveshje për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për të gjitha çështjet. Megjithëse ka ngecje të hapur rreth çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën këmbëngulë pala serbe derisa është refuzuar të diskutohet tërësisht nga ajo kosovare.