Kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të Mitrovicës, ku kishte ndërhyrje nga Beogradi duke futur këtë komunë në karantinë.
E në reagimin e tij, Bahtiri ka premtuar se do të kujdeset që shqiptarëve që jetojnë në pjesën veriore, të mos iu mungojnë produktet ushqimore e as kujdesi mjekësor, për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme.
Përmes një postimi në Facebook, Bahtiri ka bërë të ditur se është në bisedime me Qeverinë e Kosovës që Suhodolli, Gushavci, Vinarci, Vidimriqi dhe Lagja e Doktorëve të kenë qarkullim të lirë dhe të mos preken as direkt e as indirekt nga masat e marra për kufizimin e lëvizjes në Mitrovicën e Veriut.
“Kërkoj nga banorët e këtyre fshatrave të qëndrojnë të qetë dhe të më japin pak kohë, pasi që jam në koordinim të plotë me organet qendrore për adresimin e shqetësimeve e tyre, që janë edhe shqetësim i imi”, ka shkruar tutje Bahtiri.
Shkrimi i tij i plotë në Facebook:
“I lus qytetarët e Mitrovicës që të jenë të qetë pas situatës së krijuar me rastin e evidentimit të rreth 20 rasteve me koronavirusin COVID-19 në Mitrovicë të veriut, Zveçan e Leposaviq.
Duke qenë pjesë e Mitrovicës së jugut, jam në biseda të pandërprera direkte me Qeverinë e Republikës së Kosovës që Suhodolli, Gushavci, Vinarci, Vidimriqi dhe Lagja e Doktorëve të kenë qarkullim të lirë dhe të mos preken as direkt e as indirekt nga masat e marra për kufizimin e lëvizjes në Mitrovicën e veriut.
Kërkoj nga banorët e këtyre fshatrave të qëndrojnë të qetë dhe më japin pak kohë, pasi që jam në koordinim të plotë me organet qendrore për adresimin e shqetësimeve e tyre, që janë edhe shqetësim i imi.
Si kryetar do të kujdesem që shqiptarëve të cilët jetojnë në pjesën veriore, të mos iu mungojnë artikujt ushqimor e as kujdesi mjekësor, për aq sa është e nevojshme dhe domosdoshme”.










