Laporta “ëndërron” një super yll, Deco ka plan B – kush pritet të jetë sulmuesi i ri i Barcelonës?

Barcelona i ka ngushtuar opsionet për zëvendësimin e Robert Lewandowskit në vetëm dy lojtarë.

Kontrata aktuale e Lewandowskit me Barcelonën skadon në fund të sezonit aktual dhe klubi katalanas nuk pritet ta zgjasë qëndrimin e sulmuesit 37-vjeçar në “Spotify Camp Nou”. Për pasojë, gjigantët spanjollë pritet të hyjnë në treg gjatë verës për të siguruar një sulmues të ri.

Edhe pse ka zëra brenda klubit që dëshirojnë ruajtjen e shërbimeve të Lewandowskit, i cili ka shënuar nëntë gola në 812 minuta lojë këtë sezon, gjasat janë që ylli polak të largohet nga Barcelona me përfundimin e kontratës së tij më vonë këtë vit.

Sipas ESPN, drejtuesit e Barcelonës kanë identifikuar dy objektiva kryesorë për të trashëguar fanellën me numrin nëntë pas largimit të ish-sulmuesit të Bayern Munichut dhe Borussia Dortmundit.

Presidenti aktual i klubit, Joan Laporta, i cili është kandidat për rizgjedhje në muajin mars, thuhet se “vazhdon të ëndërrojë” transferimin e Julian Alvarez gjatë verës.

Argjentinasi është lidhur prej kohësh me Barcelonën, por një marrëveshje për sulmuesin e Atletico Madridit pritet të jetë shumë e ndërlikuar, pasi klubi madrilen ka gjasa të kërkojë mbi 100 milionë euro për kartonin e tij.

Megjithatë, 25-vjeçari nuk ka bindur plotësisht këtë sezon me Atleticon, duke shënuar vetëm shtatë gola në La Liga.

Ndërkohë, drejtori sportiv Deco po shqyrton alternativa më ekonomike, me sulmuesin e Juventusit, Dusan Vlahovic, që po shfaqet si një kandidat i fortë për të marrë rolin e Lewandowskit.

Reprezentuesi serb pritej të largohej nga Juventusi gjatë afatit të janarit, por një dëmtim në muajin nëntor e ka mbajtur jashtë fushave deri në mars.

Vlahovic kishte qenë i lidhur me Barcelonën që në vitin 2022, përpara se të largohej nga Fiorentina drejt Juventusit.

Kontrata e tij aktuale skadon në fund të sezonit, çka i jep mundësinë 25-vjeçarit të nënshkruajë një parakontratë me klube jashtë Italisë./Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu