Presidenti amerikan Donald Trump përshkallëzon tensionet me aleatët e NATO-s lidhur me Groenlandën, teksa i përcjell një mesazh të fortë kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre. Në një letër të zbuluar këtë të hënë, ai paralajmëron se nuk ndjen më detyrimin për të menduar vetëm për paqen, pasi Komiteti Norvegjez i Nobelit nuk ia dha Çmimin Nobel për Paqe.
Ai duket se fajëson aleatët për këtë ndryshim kataklizmik të politikës së jashtme, duke këmbëngulur se mosdhënia e Nobelit e shtyn tani të vendosë interesin amerikan të parin.
“I dashur Jonas. Duke konsideruar se vendi yt vendosi të mos më japë Nobelin për Paqe, për faktin se ndalova tetë luftëra apo më shumë, nuk ndjej më detyrimin për të menduar krejtësisht për paqen, edhe pse kjo do të mbetet dominuese. Por tani mund të mendoj mbi atë që është e mirë dhe e përshtatshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Trump.
Në letër, presidenti këmbëngul se Shtetet e Bashkuara duhet të kontrollojnë Groenlandën, pasi Danimarka nuk mund ta mbrojë atë nga Rusia dhe Kina. “Kam bërë më shumë për NATO-n sesa çdo person tjetër që prej themelimit të aleancës dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara. Kjo botë nuk do të jetë e sigurt nëse ne nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Groenlandës”, thuhet në letër.
Në një reagim, kryeministri norvegjez tha se Norvegjia mbështet Danimarkën sa i përket Groenlandës, ndërsa lidhur me Nobelin përsëriti se çmimi jepet nga një komitet i pavarur dhe jo nga qeveria.
Presidenti amerikan ka këmbëngulur vazhdimisht se meriton çmimin, pasi kishte mbyllur disa luftëra në mandatin e tij të dytë, mes të cilave përmendi edhe shmangien e një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë.
Fituesja e Çmimit Nobel për vitin 2025 ishte liderja e opozitës venezuelase Maria Corina Machado, e cila ia dha Trump-it medaljen e saj, siç u shpreh, në shenjë mirënjohjeje për rrëzimin e Maduros. Por Komiteti i Pavarur i Nobelit, me bazë në Norvegji, reagoi se çmimi nuk mund të transferohej, as në mënyrë simbolike. /A2 Televizion/









