E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona duket gjithnjë e më e pasigurt.
Bashkëshortja e tij, Anna Lewandowska, ka lënë të kuptohet se ky sezon mund të jetë i fundit i sulmuesit polak me fanellën blaugrana, edhe pse vetë lojtari ende nuk ka vendosur se ku do të vazhdojë karrierën.
Me 12 gola dhe tri asistime në 25 ndeshje zyrtare këtë sezon, Lewandowski vazhdon të jetë një lojtar i vlefshëm për Barcelonën.
Pavarësisht se po i afrohet moshës 38-vjeçare, ai ruan një formë fizike të shkëlqyer dhe instinktin e tij karakteristik për golin.
Megjithatë, vazhdimësia e tij në “Camp Nou” duket e vështirë.
Në një intervistë për One, Anna Lewandowska sugjeroi se largimi i sulmuesit gjatë verës së ardhshme është një skenar shumë i mundshëm.
“Do të shohim si do të shkojë sezoni këtë vit në Barcelonë, sepse, le të themi, me shumë gjasë do të jetë sezoni i fundit i burrit tim këtu. Po e shijojmë çdo moment, çdo ndeshje me tifozët, sepse e dimë që një ditë nuk do ta kemi më këtë”, ka thënë Anna.
E ardhme e paqartë
E pyetur për destinacionin e ardhshëm të Lewandowskit, Ana Lewandowska u tregua më e rezervuar, duke theksuar se ende nuk ka një vendim përfundimtar.
“Nuk e dimë çfarë vjen më pas, por ky është rrugëtimi i një sportisti të madh dhe ne jemi të përgatitur për këtë”.
Sipas Mundo Deportivo, drejtuesit e Barcelonës planifikojnë të takohen me Lewandowskin në fund të muajit mars.
Klubi nuk e përjashton mundësinë e rinovimit, por kjo do të ishte e mundur vetëm nëse sulmuesi pranon një ulje të ndjeshme të pagës dhe një rol më dytësor në skuadër.
Ndërkohë, disa klube nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Arabia Saudite po monitorojnë nga afër situatën e sulmuesit polak. /Telegrafi/










