Qeveria nuk do ta tërheqë, kurse Ligji për legalizim të ndërtimeve pa leje, të cilin Presidenti Stevo Pendarovski refuzoi ta nënshkruajë, kthehet në Kuvend.
“Ligji ishte propozuar nga Qeveria në fund të vitit 2019 me propozim të kryetarëve të komunave dhe BNJVL-së (Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale) me arsyen e vetme – që të shpëtohen më shumë se 50.000 ndërtime të qytetarëve që janë nën pragun e varfërisë, domethënë që nuk kanë mundur t’i legalizojnë objektet e tyre”, deklaroi Zaevi.
Reagimet e ashpra lidhur me këtë ligj, vijuan pasi me të njëjtin u amnistuan disa individë të cilët ndiqen pikërisht për shkak të ndërtimit me leje.
“Kur merret një vendim i tillë që t’u jepet mundësi atyre 50.000 objekteve të legalizohen, atëherë nuk mund t’i ndiqni penalisht ato të mëparshmet, kjo nuk është kushtetuese. Nëse aludoni për z. Jakimovski, ai ka tre vepra penale me sa di unë. Kam lexuar nga Prokuroria Publike, dy paditë penale nuk kanë asnjë lidhje me legalizimin, kurse në padinë tjetër ka më shumë se tre aktakuza, njëra prej të cilave është vetëm për legalizimin e objekteve”, shtoi më tej Zaevi.
Deputeti dhe kryetar i Lidhjes Demokrate, Pavlle Trajanov, në një intervistë me “Kanal 77” tha se ligji është marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, duke shtuar se i njëjti me Nenin 41 sjell amnisti.
“Ligji bie në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës dhe ligjet sistematike. Me këtë ligj praktikisht ju sillni dispozitë për amnisti, domethënë në mënyrë të drejtpërdrejtë po përziheni në Ligjin për procedurë penale, kurse për disa ligje të tjera të cilat rregullojë çështje të tjera, thoni se kjo nuk mundet pasi është sulm në sistem etj…”, tha Trajanov.
Interesi i qytetarëve dhe biznes-interesat e dikujt janë dy arsye kryesore që deputetët nga pozita dhe opozita e sollën këtë ligj me shumicë, thotë deputetja e RDM-së, Maja Moraçanin, e cila është një nga pesë deputetët që nuk votuan për këtë ligji.
“Mendoj se duhet gjetur një mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë problem. Qëndrimi im është i njohur, unë këtë po e flas me vite edhe në Kuvend, edhe publikisht. Ndërtimi i paligjshëm nuk duhet të tolerohet fare dhe duhet të sanksionohet menjëherë”, u shpreh Moraçanin.
Ligji tani sërish është në duart e deputetëve, të cilët kanë 30 ditë, periudhë brenda së cilës mund ta sjellin sërish nëse duan. Amendamente mund të dorëzojnë vetëm ndaj vërejtjeve të Presidentit. Pastaj, ai do të duhet ta nënshkruajë Dekretin.









