“Liria është e shtrenjtë”, doli nga burgu Abdylfeta Alimi! Sela: Ndjehem krenar, ky burrë nuk u përul kurrë!

Pas gjashtë viteve në burgun e Idrizovës, Abdylfeta Alimi doli në liri.

Në dalje Alimin e priste familja e afërt si dhe ish lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Abdylfeta Alimi pas daljes nga burgu, tha se liria është e shtrenjtë dhe shpreson që të gjithë të dënuarit padrejtësisht, një ditë të lirohen. I mallëngjyer për familjen, Alimi mezi priste të kthehet në shtëpi.

“Liria është e shtrenjtë. Unë kam kaluar një pjesë të madhe këtu. Kam lënë disa shokë që vuajnë padrejtësisht, dhashtë Zoti edhe ata një ditë do të dalin kështu si unë. Ju kërkoj falje po të shkoj të çmallem me familjen, me bashkëfshatarët dhe mikun tim Ziadinin”, tha Abdylfeta Alimi – I dënuar për ngjarjet e 27 prilli.

Ziadin Sela, personi të cilin e shpëtoi pikërisht Abdylfeta Alimi në natën e 27 prillit në Kuvend, shprehet i lumtur për lirimin e tij dhe thotë se që nga 27 prilli, atë e konsideron si pjesëtar të familjes.

“Sot ndjehem ashtu siç do të ishte ndjerë një familjarë i Fetaut. Ashtu siç do të ndiheshte një njeri i cili i ka borxh jetën këtij njeriu. Ndjehem i lirë po aq sa Fetau, ashtu siç jam ndjerë jashtë mureve të këtij burgu por i robëruar bashkë me Fetaun. Ndjehem edhe krenar me pamposhtësinë dhe vendosmërinë, ky burrë nuk u përul kurrë!”, tha Ziadin Sela – Ish kryetar i ASH-së.

Edhe djali i Abdylfetaut, Burim Alimi, ndjehet i lumtur për lirimin e babait të tij dhe shpreson që raste të tilla të mos përsëriten.

“Me pak fjalë ndjehem shumë shumë i lumtur, dhe uroj që këto padrejtësi të mos përsëriten më, sepse është shumë e vështirë të përjetosh këtë gjë pa faj. Uroj që këto raste të mos përsëriten më kurrë!”, tha Burim Alimi – Djali i Abdylfeta Alimit.

Ndryshe Abdylfeta Alimi dënimin me burg e ka vuajtur që nga marsi i vitit 2019. Ai u dënua me shtatë vite burg prej të cilave tetë muaj iu hoqën si falje nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski. Alimi është i dënuar në rastin e ngjarjeve më 27 prill 2017 në Kuvend me akuzën për bindje ndaj urdhërit të paligjshëm dhe për mos veprim. Madje gjykata kishte paraparë dënim më të lartë por, meqenëse pati shpëtuar jetën e deputetit Ziadin Sela, Alimi u dënua me vetëm shtatë vite burg efektiv.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu