Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, që e ka përkrahjen e Beogradit zyrtar Lista Serbe, ka thirrur për sot në Mitrovicë një takim që e konsiderojnë urgjent me përfaqësuesit e dhjetë komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës si dhe përfaqësuesit e fushave të shëndetësisë dhe arsimit që financohen nga buxheti i Serbisë e që funksionojnë nën plan program të Beogradit e që shteti i Kosovës i konsideron si sisteme paralele.
Sipas raportimeve të gazetarit të Klan Kosovës, Besnik Tahiri takimi mbahet nga ora 12:00.
“Të enjten më 12 shkurt , në Amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicë, në ora 12.00 , do të mbahet takim, konsultativ dhe i punës me përfaqësuesit e popullit serb dhe atyre të Institucioneve shëndetësore e arsimore, në të cilin takim do të flitet për situatën politike dhe të sigurisë, kjo nën dritëhijet e pranimit Ligjit për të huajt dhe atij për automjete”, thuhet mes tjerash në njoftimin e LS-ës.
Ndryshe, më 15 mars pritet të hyjnë në fuqi dy ligjet e lartpërmendura, përderisa qeveria kosovare ka thënë se zbatimi i tyre assesi nuk po bëhet për të dëmtuar ndonjë komunitet në Kosovë.
Ndërkaq, ministri i administrimit të pushteti lokal, Elbert Krasniqi, ka paralajmëruar se të premten ka ftuar në takim kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Republikë.










