Lista Serbe injoron qëllimshëm shënim zyrtar “Republika e Kosovës” në Komunën e Mitrovicës së Veriut (FOTO)

Para së ta marrë zyrtarisht detyrën si kryetar i sapozgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç ka dhënë sinjale të qarta të mosrespektimit të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Në ftesën me firmën e Radojeviç, dërguar asamblistëve të kuvendit të ri komunal për seancën konstituive, ku do të jepet betimi si kryetar i Komunës, mungon shënimi zyrtar i dokumentit relevant, përkatësisht “Republika e Kosovës” — term që ligjërisht dhe obligativisht duhet të përdoret nga çdo institucion shtetëror, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë qendror, në secilin dokument zyrtar.

Veç mungesës së shënimit zyrtar “Republika e Kosovës”, në ftesë paraqitet edhe mungesa e respektimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Mungon gjuha shqipe.

“Ju ftoj që më 5.12.2025, si këshilltar të zgjedhur, të merrni pjesë në seancën konstituive (solemne) të përbërjes së re të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila do të mbahet në ndërtesën e komunës (salla e Kuvendit), me fillim në orën 11:00”, thuhet në njoftim.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si institucion mbikëqyrës i pushtetit lokal, ka refuzuar mbajtjen e seancës së thirrur më 5 dhjetor, me arsyetimin se Republika e Kosovës nuk përmendet askund në dokumentacionin relevant.

Mbetet të shihet nëse ftesa do të rishkruhet dhe të përshtatet sipas praktikave ligjore në Republikën e Kosovës, dhe nëse do të vazhdohet procedura e dhënies së betimit të kryetarit të ri dhe anëtarëve të Kuvendit Komunal.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu