Lugina në rrezik: Grafitet me emrin e Ratko Mladiq alarmojnë shqiptarët, kërkohet reagim nga Tirana e Prishtina

Në qendër të Bujanocit janë shfaqur grafite me emrin e kriminelit të luftës të dënuar për gjenocid në Srebrenicë, Ratko Mladiq, duke u cilësuar si akt i gjuhës së urrejtjes, provokim i drejtpërdrejtë dhe kërcënim serioz ndaj shqiptarëve përcjell INA.

Grafitet janë shkruar në alfabetin cirilik, me simbolin e kryqit dhe shenjën famëkeqe “4C”, që përfaqëson sloganin nacionalist serb. Ky veprim ka ngjallur indinjatë të thellë, pasi përkujton figurën e një krimineli të luftës, përgjegjës për masakra dhe spastrim etnik.

Ky nuk është incidenti i parë i tillë në Bujanoc. Vitin e kaluar, në qendër të qytetit ishte thyer billboard-i i Komandantit të UÇPMB-së, Ridvan Qazimi – Lleshi. Po ashtu, në dy vitet e fundit janë shtuar mbishkrimet me përmbajtje kërcënuese si “Vdekje shqiptarëve”, në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Grafitet e tilla janë parë madje edhe në ndërtesa publike, si Shtëpia e Shëndetit.

Autorët e reagimit theksojnë se këto veprime nuk janë thjesht vandalizëm, por tentativë për të mbjellë frikë, pasiguri dhe për të nxitur shpërnguljen e shqiptarëve përmes diskriminimit, asimilimit dhe presionit psikologjik.

Në reagimin e tij publik, Refik Hasani dënon ashpër këtë akt dhe u bën thirrje institucioneve të BE-së dhe OKB-së që të shtojnë prezencën dhe monitorimin në Luginën e Preshevës. Sipas tij, krahas pasivizimit dhe diskriminimit sistematik, shqiptarët në këtë rajon përballen me forma të hapura kërcënimi dhe provokimi.

Ai gjithashtu apelon që Tirana dhe Prishtina zyrtare të reagojnë menjëherë, ndërsa Serbia të marrë përgjegjësi duke dënuar publikisht këto akte që minojnë bashkëjetesën ndëretnike dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu