Lutja e fundit e babait për vajzën që ndërroi jetë në spital, shkon në 51 numri i viktimave

Xhesika Biqiku ndërroi jetë sot në Spitalin e Traumës ku ndodhej prej tre ditësh në gjendje kome. Ajo ishte dëmtuar në kokë nga një tullë teksa dilte nga banesa mëngjesin e 26 nëntorit. Në njoftimin për gjendjen e të plagosurve, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije disa orë më parë se gjendja e saj e rëndë nuk mundësonte dot transportimin drejt Italisë.

Babai i Xhesikës ishte ndër të parët që takoi sot Kryeministrin Rama në zonën e Kombinatit. Me shumë dhimbje ai i kërkoi atij të “thoshte një llaf” që vajzën t’ja dërgonin në Itali.

“Kam gocën në spital, në reanimacion. Tani po rrinë doktorët, italiani dhe shqiptari, faleminderit shumë po u përmend një çik thonë italianët direkt ne do ta çojmë në Itali. Kam gocën e madhe, Sabinën, jashtë rrezikut është sakatu. (qan) Po ashtu fol ndonjë llaf të mirë të ma çojnë gocën, të mbushë 20 vjeçe”, tha i ati i Xhesikës mes lotësh.

20-vjeçarja është e disata viktimë në moshë të re e tërmetit tragjik dhe e 51-ta në total.

Gjendja e 33 pacientëve të tjerë të shtruar në spitale nuk paraqitet me rrezik për jetën sipas njoftimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë ndërsa 3 persona janë dërguar ndërkohë për ndihmë të specializuar jashtë vendit. /Opinion


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu