LVV “siguron” 66 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ, presidentja e Vjosa Osmani është vënë në lëvizje e cila ka caktuar seancën konstituive për të mërkurë. Osmani dha edhe arsyet e këtij vendimi.

“Duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00.”

Vetëvendosje si partia e parë e dal nga zgjedhjet e fundit e ka të drejtën kushtetuese të prozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Deputeti i zgjedhur i këtij subjekti politik, Enver Haliti, deklaroi se i kanë votat e sigurta për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, por nuk tregoi se kush është kandidati.

“LVV ka 57 vota duke llogaritur edhe me partnerë të koalicionit të partive minoriteteve jo-serbe, besoj që 65-66 vota do të jenë të mjaftueshme për themelimin e institucioneve.”, tha Haliti për rtv21.

Për partitë e tjera parlamentare PDK, LDK dhe AAK, LVV-ja po vepron në bazë të praktikave të kaluara të seancave konstituive, duke mos treguar paraprakisht se kush është kandidati për kryetar të Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i tha rtv21 se fillimisht do të shohin se kush do të jetë kandidati për kryeparlamentar pastaj do të vendosin për nëse do të votojnë për apo kundër.

“Do të shohim së pari se kush do të jetë kandidati për kryeparlamentar. Uroj që të mos bëhet përsëritje e gabimeve të seancës konstituive të kaluar. Në përputhje me emrin e kandidatit dhe me vendimin që do ta marrim nesër në mbledhjen e grupit parlamentar, do të veprojmë nëse do të votojmë apo jo. Unë nuk kam informacion se kush do të jetë kandidat.”, tha Haliti

RTV21 merr vesh nga burimet brenda LVV-së se kandidate për kryetare të Kuvendit do të jetë Albulena Haxhiu. Por ky subjekt politik nuk ka treguar nëse votimi do të procedohet në mënyrë të fshehtë apo të hapur. Hulumtuesi në IDK, Naim Jakaj, vlerëson se për hirë të transparencën votimi duhet të jetë i hapur.

“Deputetët duhet të votojnë në mënyrë transparente për një kandidat për kryetar të Kuvendit.”, tha Jakaj.

Ndërkohë, Vetëvendosje ende nuk e ka një qëndrim të qartë nëse do ta votojnë apo jo kandidatin për nënkryetar të Kuvedit nga komunitet serb, i cili sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon grupit më të madh, Listës Serbe.

“Ne ende si grup i ri parlamentar nuk jemi takuar se si do të procedojmë tutje.”, tha Enver Haliti, deputet i LVV-së.

Pavarësisht sfidave që mund të përballet Kuvendi për zgjedhjen e të gjitha strukturave të reja. Glauk Konjufca shpreson se të mërkurën do të formohet edhe Qeveria e re.

“Nesër do të bëhet Kuvendi dhe nesër shumë shpresoj që do të bëhet edhe qeveria. Për të tjerat flasim pastaj.’’, tha Konjufca.

Seancën konstituive do të udhëheq deputeti i LVV-së, Avni Dehari, si më i vjetri në mosh së bashku me deputetet më të re, Sala Jashari, nga PDK./RTV21


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu