Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka thënë se një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë jo vetëm që do të ngriste stabilitetin në rajon, por do t’i hapte rrugë për pranim në Bashkimin Evropian të dy shteteve.
Në konferencën online bashkë me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, Maas ka thënë se BE-ja duhet që të liberalizojë sa më shpejt vizat për qytetarët e Kosovës.
Në porosinë kryesore të tij për liderët e Ballkanit, Maas ka thënë se “historia s’duhet të ketë më pengesë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët”.
“Kam vizituar Beogradin dhe Prishtinën për të biseduar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Mesazhi ynë është i qartë: Një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë jo vetëm që do të rriste stabilitetin rajonal, por do të hapte perspektivën për pranim në BE për të dy shtetet”, ka thënë ai në këtë konferencë, teksa ka ofruar mbështetjen e Gjermanisë për BE-në për ndërmjetësimin e dialogut.
Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014. Ai ka si synim përmirërimsin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.









