Manchester United po e shqyrton mundësinë e transferimit të anësorit të Comos, Jesus Rodriguez, ndërsa klubi anglez pritet ta shesë përfundimisht Marcus Rashfordin gjatë verës.
Sulmuesi anglez aktualisht është në huazim te Barcelona dhe raportohet se klubi katalunas synon ta kompletojë marrëveshjen. Edhe vetë Rashford thuhet se është i interesuar të vazhdojë karrierën në “Camp Nou”.
Shitja e tij pritet t’i sjellë Manchester United rreth 30 milionë euro, shumë që klubi planifikon ta investojë për të transferuar një anësor të ri. Sipas raportimeve, një nga emrat që po ndiqet është talenti i Comos, Jesus Rodriguez.
20-vjeçari spanjoll u bë i njohur sezonin e kaluar te Real Betis, ku realizoi tre gola dhe dhuroi dy asistime në La Liga. Megjithatë, shumëkush u habit kur Como vendosi të thyejë rekordin e klubit për ta transferuar atë për rreth 31 milionë dollarë verën e kaluar.
Investimi i klubit italian rezultoi i qëlluar, pasi Rodriguez po kalon një sezon shumë të mirë nën drejtimin e trajnerit Cesc Fabregas. Deri tani ai ka regjistruar tre gola dhe tetë asistime në 28 ndeshje.
Spanjolli dallohet për kombinimin e rrallë mes fizikut dhe shpejtësisë. Me gjatësi rreth 1.83 metra, ai është shumë i shpejtë dhe shpesh i tejkalon kundërshtarët në duelet fizike.
Rodriguez gjithashtu ka aftësi të mira me topin, por arma e tij kryesore mbetet shpejtësia dhe depërtimi në hapësirë, pasi nuk heziton të sfidojë mbrojtësit në garë vrapimi.
Në fillim të karrierës ai është kritikuar për mungesë produktiviteti në zonën sulmuese, por duket se te Como dhe nën drejtimin e Fabregasit ka përmirësuar shumë lojën. Në fakt, këtë sezon vetëm Federico Dimarco i Interit ka krijuar më shumë gola në Serie A se ai.
Shtimi i numrit të golave mbetet hapi i radhës për zhvillimin e tij, por në moshën 20-vjeçare Rodriguez ka ende shumë kohë për t’u përmirësuar dhe për të konfirmuar potencialin e madh që posedon./Telegrafi/










