Maqedoni e Veriut, ministri Osmani me këshilltarët ekonomikë në vizitë të komunave

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani së bashku me këshilltarët ekonomikë, të cilët në kuadër të diplomacisë ekonomike janë emëruar të udhëtojnë për në Varshavë (Grupi i Vishegradit), Mynih (Gjermani dhe Austri) Ankara për Turqi dhe Abu Dabi për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet tjera të Gjirit, sot ka vizituar Komunën e Tetovës.

Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme, përveç se me përfaqësuesit e pushtetit lokal, u realizua vizitë edhe në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë si dhe vende të tjera me potencial ekonomik dhe turistik.

Përmes kësaj vizite i shqyrtuam mundësitë, potencialet, por edhe nevojat që i ka pushteti lokal që të mundemi përmes diplomacisë ekonomike dhe këshilltarëve ekonomik të kontribuojmë për zhvillimin e mëtejmë dhe tërheqjen e investimeve, rritjen e transportit dhe promovimin e turizmit”, theksoi Osmani.

Ai shtoi se në vitet e fundit komunat kanë rritur kompetencat, veçanërisht në udhëheqjen me tokën shtetërore, prandaj është i nevojshëm bashkëpunim më i afërt, që do të kontribuojë për promovim më të madh të potencialit lokal.

Osmani potencoi planin e gjerë të vizitave nga ana e përfaqësuesve të diplomacisë ekonomike në më shumë komuna.

Përveç vizitës së sotme në Tetovë, vizita të ngjashme janë të parapara edhe në qytete tjera të vendit, si në Gostivar, Ohër, Manastir, Prilep, Krushevë, Kavadar, Vinicë, Berovë, Strumicë, Dojran dhe Gjevgjeli. Qëllimi i këtyre vizitave dhe takimeve është që këshilltarët ekonomikë të krijojnë raport më të afërt me nevojat e bizneseve rajonale, të kenë pasqyrë më reale për nevojat e komunës, të njihen prej së afërmi me kapacitetet e tyre për rritjen e transportit, mundësitë për investimet e huaja si dhe zhvillimin e turizmit.

Ndryshe, këshilltarët ekonomikë, deri më tani kanë ndjekur tri faza të përgatitjes dhe kjo është faza finale.

Fillimisht ata kishin përgatitje në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pastaj vizituan dhe realizuan konsultime me institucione dhe ministri që lidhen me ekonominë në nivel qendror, ndërsa në fazën e tretë kishin ligjërata teorike nga profesorë eminent të ekonomisë. Kjo fazë e fundit parasheh vizita nëpër komuna dhe njohje me mundësitë dhe nevojat e vetëqeverisjes lokale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu