Në komunat e Shtipit dhe Pllasnicës të Maqedonisë së Veriut sot votohet për kryetar të ri ndërsa vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Në këto dy komuna mbahen zgjedhje të parakohshme për kryetar për shkak se kryetarët e mëparshëm të të dy komunave morën funksione të reja në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, gjegjësisht Bllagoj Boçvarski, i cili ishte kryetar i Komunës së Shtipit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend u zgjodh ministër i ri i Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa Ismail Jahoski, kryetari i Komunës së Pllasnicës, u zgjodh deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Kryetarët e sapozgjedhur të komunave do të kenë një mandat prej 9 muajsh, përkatësisht, deri në zgjedhjet e rregullta lokale që do të mbahen në vjeshtën e vitit 2021. Në Komunën e Shtipit të drejtë vote kanë gjithsej 41.777 votues. Në zgjedhje për kryetar të Komunës së Shtipit garojnë kandidati i pavarur Trajçe Mitev, Llazar Naumov nga partia TMRO, deputeti aktual, Sashko Nikollov nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Goce Angelov nga koalicioni i ri “Ardhmëria në duart tona”, dhe kandidati i “Partisë Konservatore Maqedonase Integra”, e cila zgjodhi si kandidat të saj Simon Polikarp – Jimmy, i cili ka lindur në Nigeri ndërsa në Shtip ka ardhur të studiojë, ku tashmë disa dekada jeton dhe punon.
Në zgjedhje për kryetar të Komunës së Pllasnicës garojnë dy kandidatë, Alija Jahoski nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Ramazan Sherifovski nga Lëvizja për Bashkimin Kombëtar të Turqve. Për këto zgjedhje në Komunën e Pllasnicës, të drejtë vote kanë 4.954 qytetarë nga katër fshatra, të cilët mund të votojnë në 9 vendvotime.
Komisionet komunale zgjedhore në të cilat mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale thanë se vendvotimet janë dezinfektuar para se të hapeshin dhe se anëtarët e bordeve të votimit kanë pajisjet e nevojshme mbrojtëse dhe mjetet për dezinfektim dhe duhet të votojnë sipas protokolleve shëndetësore, duke mbajtur distancë prej dy metrash dhe gjithashtu edhe votuesit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit (COVID-19).
Në dy ditët e fundit në Shtip dhe Pllasnicë, votuan personat që janë pozitivë ndaj COVID-19, personat në izolim, të sëmurët dhe të pafuqishmit, të dënuarit, si dhe banuesit e shtëpive geriatrike.










