Maqedonia në fund të rajonit për pagën minimale – Kosova e tejkalon nga korriku 2026, sindikatat kërkojnë 600 euro

Me pagë minimale prej 24.379 denarësh, apo rreth 397 euro, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet në fund të rajonit për nga niveli i pagës minimale. Deri tani, pas saj renditej vetëm Kosova, por kjo situatë tashmë po ndryshon.

Sipas vendimit më të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të miratuar sot dhe të bazuar në vendimin zyrtar nr. 10/273, të datës 31 tetor 2025, paga minimale në Kosovë do të rritet në dy faza gjatë vitit 2026. Nga 1 janari 2026, paga minimale bruto për punë me orar të plotë do të jetë 425 euro, ndërsa nga 1 korriku 2026, ajo do të rritet në 500 euro bruto.

Vendimi është nënshkruar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe obligon Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin e Punës për zbatim të plotë.

Kjo do të thotë se nga mesi i vitit 2026, Kosova jo vetëm që nuk mbetet më pas Maqedonisë, por e tejkalon ndjeshëm atë për nga paga minimale.

Në krahasimet rajonale, pagën minimale më të lartë e kanë qytetarët e Malit të Zi – 600 euro, ndërsa në Serbi ajo sillet ndërmjet 505 dhe 580 euro, varësisht nga numri i orëve të punës. Në Bosnje dhe Hercegovinë paga minimale është 525 euro, në Republikën Sërpska 511 euro, ndërsa në Shqipëri, nga Viti i Ri, 444 euro.

40 mijë punëtorë në Maqedoni jetojnë me pagë minimale

Sipas të dhënave të LSDM-së, rreth 40.000 punëtorë në Maqedoninë e Veriut jetojnë me pagë minimale. Ndërkohë, llogaritjet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) tregojnë se një familjeje katër anëtarëshe, në dhjetor 2025, i janë nevojitur rreth 65.492 denarë për të mbuluar shpenzimet mujore, prej të cilave mbi 23.000 denarë vetëm për ushqim dhe pije. Kjo do të thotë se as dy e gjysmë paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shportën minimale sindikale.

Nënkryetari i LSM-së, Ivan Peshevski, thekson se kërkesa kryesore e sindikatave është rritja e pagës minimale në 600 euro, si dhe rritje lineare e të gjitha pagave të tjera për nga 100 euro.

“Kërkesa për 600 euro paga minimale buron nga anketa e realizuar nga LSM, ku shumica e të anketuarve u deklaruan për këtë shumë. Ndërkohë, vetëm brenda një viti, jeta është shtrenjtuar për gati 6.000 denarë. Pa rritje reale të pagave, fuqia blerëse bie dhe varfëria thellohet,” deklaroi Peshevski për “Fokus”.

Këto kërkesa vijnë në kushte të inflacionit vjetor prej 4,1%, sipas Entit Shtetëror të Statistikave, ndërsa çmimet me pakicë gjatë vitit 2025 janë rritur për 3,7%.

Pasi vitin e kaluar nuk morën mbështetje as për pagë minimale prej 500 eurosh, sindikatat kanë paralajmëruar proteste pas 20 janarit. Vendimi për datën dhe formën e protestave pritet të merret në ditët në vijim.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon të insistojë se zgjidhja duhet të arrihet përmes dialogut ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve, ndërkohë që rajoni po ecën më shpejt drejt rritjes së pagave minimale. /INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu