Barometri politik e vlerëson Shqipërinë e shqiptarët si një ndër vendet e popujt më proamerikanë të globit. Shqiptari i parë që shkeli në tokën amerikane i përket vitit 1876. A pasoi nga një prift shqiptar, Prend Doçi në 1877. Fillimshekulli XX bëri që shqiptarët ta shikonin Shtetet e Bashkuara vendin e lirisë, progresit dhe shpresës. Është një histori marrëdhëniesh 137 vjeçare, ndërkohë që shqiptarët e “zbuluan” të fundit Amerikën. Por pas vitit 1900 një “lumë” shqiptarësh ju drejtuan Botës së Re.
Dallojmë tre etapa emigrimesh drejt Amerikës: nga fundi i shek XIX deri në 1920 me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Etapa tjetër është midis dy luftrave botërore dhe etapa e fundit është ajo e erës së re demokratike. Është fakt i dokumentuar se, në vitin 1910 në Amerikë kanë lindur 2,312 fëmijë nënat e të cilëve flisnin shqip.
Dy kolosë të shqiptarizmës si Faik Konica e Fan Noli u bënë urat e komunikimit shpirtëror të përafrimit më tej të kombeve amerikan e shqiptar. Edhe pse Shqipëria u bë e pavarur në 28 nëntor 1912, marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së u vendosën 10 vjet më vonë. Ato e kanë pikënisjen e tyre më 28 korrik 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë. Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Thomas Woodroë Wilson vuri në konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.
Presidenti pasardhës i Wilson-it, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 Dhjetor 1922. Ky ishte guri i parë kilometrik i marrëdhënieve. Ishte i pari që ndriçoi amerikanët mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ambasadori Smith shkruante: “vend është shumë i varfër, njerëz të pashkolluar e të paushqyer, por çuditërisht përpara meje ndodhet kryeministri Fan Noli, i cili flet një anglishte harvardiane shumë më të mirë nga mua. Dhe unë ndjehem keq përpara tij”.
Lufta e përbashkët e aleatëve nën drejtimin e Marshall Ferdinand Fosh bëri që paqja në Versajë me traktatin prej 440 nenesh të bënte zap luftën. Amerikanët me në krye Uillsonin ishin dielli ngrohës i popujve të vegjël me platformën e tij me 14 pika në Versajë. Krismën e shqiptarëve që hidhnin në det italianët në verën e vitit 1920 në Vlorë e dëgjoi Ullsoni, i cili dërgoi edhe një Kolonel amerikan në Shqipëri në atë kohë. Miqësia shqiptaro-amerikane sa erdhin dhe u forcua. Më 1919 amerikanët denoncuan në Konferencën e Paqes, projektin për coptimin e territoreve shqiptare për eleminimin nga harta e një vendi sovran. Antishqiptarizmi i frymëzuar nga kancelaritë europiane franko-ruse me satelitët e tyre, që ishin fqinjët tanë dështoi përpara Uillsionizmit. Amerikanët e parë që kanë ardhur në Evropë gjatë e pas Luftës së Parë Botërore, kanë depërtuar dhe në Shqipëri me misione të ndihmës mjekësore, teknike e arsimore etj. Makina e parë me flamur amerikan është e dokumentuar në Drashovicë dhe Kotë të Vlorës në Luftën e vitit 1920 (4 qershor deri 3 shtator 1920). Kjo është dokumentuar edhe në AQSH, Fondi i Fototekës AQSH, Dosja 400, Viti 1920, ku tregohet se, pas Luftës së Drashovicës më 28 korrik 1920 është fiksuar në një foto edhe një mkinë me flamur amerikan, ku para saj janë fiksuar tre shqiptarë që drejtonin luftën e Vlorës: Qazim Sejdini, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi. Pas këtij viti ka një aktivitet amerikan të dendur në fushën ekonomike e kryesisht atë arsimore me disa shkolla amerikane të hapura në vitet 20-30-të. Shqipëria deri në vitin 1939 ishte një komb i preferuar për SHBA-në. Dhjetëra amerikanë erdhën në Shqipëri si diplomatë, biznesmenë, themelues shkollash, shkencëtarë ekspeditash, eksplorues të nëntokës, përfaqësues të kryqyt të kuq amerikan etj.
Në 1939, Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Zogut nga vendi. Ambasadori amerikan në vitin 1939 në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi strehim Zogut dhe familjes së tij, por u refuzua. Ambasada u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939 dhe Grant u largua më 27 shtator të vitit 1939. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane përfunduan për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939-1943) dhe më pas nga Gjermania (1943-1944) gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aleatët në vitin 1942 e njohën luftën e shqiptarëve kundër fashizmit. Misionet aleatë Amerikan, Anglez e Rus mbritën në Shqipëri, si pjesë e koalicionit antifashist botëror. Misionet mbështetën sipas mundësuive luftën e shqiptarëve. Anglezët kishin misionet më të shumta dhe dhanë kontribut më të madh në Shqipëri. Ndërsa nga amerikanët Thomas Stefan ishte shqiptaro-amerikani që përfaqësonte aleatët amerikanë në LIIB.










