Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga ndeshja e shumëpritur Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar një listë me rregulla të rëndësishme për të gjithë tifozët që do të ndjekin sfidën në stadiumin “Air Albania”.
FSHF thekson se hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm për ata që janë të pajisur me mjet identifikimi dhe një biletë të vlefshme. Të gjithë tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të detajuara nga stjuardët, dhe nuk do të lejohet në asnjë rast kalimi i pengesave rrethuese.
Në njoftim theksohet se do të ketë tolerancë zero ndaj çdo veprimi që përbën shkelje ligjore, si: mbajtja e armëve të zjarrit apo armëve të ftohta, përdorimi i biletave false, futja në fushën e lojës, si dhe shpalosja e parrullave që nxisin urrejtje apo dhunë.
FSHF rikujton se stadiumi është nën mbikëqyrje të vazhdueshme me kamera sigurie, dhe çdo shkelje do t’i referohet menjëherë organeve ligjzbatuese.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë pritet të zhvillohet në një atmosferë të ndezur, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë brenda dhe jashtë stadiumit.