Ylli i PSG, Kylian Mbappe, një nga lojtarët më të paguar në botë, pranon se shumat që shpenzohen në nivelin më të lartë të futbollit janë bërë “të pahijshme”. 19-vjeçari u bë lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori, kur përfundoi transferimin e përhershëm nga Monaco te PSG, këtë vit, për një tarifë të raportuar prej 180 milionë eurosh.
Neymar erdhi nga Barcelona në vitin 2017 për 222 milionë euro, një marrëveshje që tronditi futbollin europian dhe çoi në katër marrëveshje të tjera me vlerë më shumë se 100 milionë euro, duke përfshirë edhe Mbappe, gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Raportet e bazuara në dokumentet e platformës “Football Leaks”, këtë muaj, pretenduan se Mbappe kërkoi një kontratë pesë-vjeçare, me vlerë afër 55 milionë euro pas tatimit, kur u bashkua me PSG, së bashku me stimujt e tjerë, të bazuar në performancë, çka u hodh poshtë nga klubi.
Dhe Mbappe ka pranuar se jepen shuma të tilla në nivelet më të larta të futbollit të sotëm, sa mezi i kishte imagjinuar, kur ishte duke u rritur. “Është vërtet e pahijshme për mua, që vij nga një familje mjaft modeste, – tha ai për RTS. – Është e vërtetë se është e pahijshme, por tregu është i tillë. Bota e futbollit punon kështu. Unë nuk do ta revolucionarizoj futbollin i vetëm, jam në një sistem. Duhet të dini se si ta respektoni atë dhe realitetin, që nuk varet nga ju”.
Pas suksesit në Kupën e Botës me Francën, “L’Equipe” raportoi se Mbappe e kishte dhuruar të gjithë shpërblimin e tij të turneut, rreth 439 mijë euro, për “Premiers de Cordee”, një shoqatë bamirëse sportive, që punon për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe të shtruar në spital .
Mbappe është krahasuar me brazilianin e madh, Pele, pas rritjes së jashtëzakonshme gjatë tri viteve të fundit, në të cilët ka fituar katër trofe të mëdhenj në Francë dhe është bërë kampion botëror. Megjithatë, sulmuesi këmbëngul se nuk po përpiqet të imitojë askënd, duke thënë:
“Unë nuk dua të jem një kopje e askujt tjetër. Ashtu si të mëdhenjtë, ju doni të krijoni vetë historinë tuaj dhe të mos jeni kopje e një tjetri. Mendoj se është e natyrshme të kesh vetëbesim të lartë, edhe nëse në jetën e përditshme duhet të kesh atë përulësi, që është forcë e të mëdhenjve”.










