Mblidhen VV e LDK: Ju tregohet marrëveshja, pritet finalizimi i saj sot në këtë orë

Dy kryesitë, ajo e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë mbledhur sot për të diskutuar se a pajtohen në parim me marrëveshjen që dy liderët Albin Kurti dhe Isa Mustafa, e kanë arritur dhe janë pajtuar me të tani.

Vetëvendosje ka thirrur takimin e kryesisë në ora 9:00 e cila është duke u zhvilluar ende kurse LDK ka paralajmëruar takimin e kryesisë së partisë në ora 11:00, e cila po ashtu është duke u mbajtur.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa, pas një procesi të gjatë bisedimesh janë marrë vesh për mënyrën sipas së cilës do t’i ndajnë ministritë në koalicionin e ardhshëm qeveritar.

Në marrëveshjen e arritur, Ministria e Financave, Ministria e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë do të drejtohen nga ministra të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Akordimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është arritur edhe për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila atë do t’ia besojë Vjosa Osmanit.

Ndërsa Metro ka mësuar se tashmë partitë janë marrë vesh për ndarjet e ministrive dhe postit të presidentit, dhe do t’i bëjnë publike para gazetarëve.

Kurse sot pas mbledhjeve me Kryesitë, Kurti dhe Mustafa priten të takohen në ora 16:00 dhe të finalizojnë marrëveshjen e koalicionit për të qeverisur vendin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu