Mbrojtja e Selimit: ZPS-ja s’ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta

Mbrojtja e Rexhep Selimit ka nisur deklaratat përmbyllëse duke paralajmëruar se do t’i trajtojë tri tema, pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për rolin e Selimit si ministër i Rendit Publik, pretendimet për disa shkrime dore të pretenduara si të Selimit dhe për disa përjashtime që mbulon ZPS në dosje.

Avokati Eric Tully ka kundërshtuar pretendimin e ZPS-së se Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik. Ai ka theksuar se “ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.

Termin “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” Tully e ka quajtur tezë të Prokurorisë, të cilën tha se ajo e ka krijuar për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një lloj policie që drejtohej nga Selimi.

Ai shtoi se nuk ka pasur asnjë forcë policie të krijuar në prill 1999 dhe se nuk ka asnjë provë që vërtetojnë një pretendim të tillë të ZPS-së.

“Pas qershorit UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë nën përgjegjësinë e Selimit. Nuk ka ekzistuar polici e tillë e UÇK-së, ose ministrisë së Rendit Publik, që është mbikëqyrur nga Selimi siç pretendon ZPS”, ka thënë Tully.

Duke thënë se Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta, ai shtoi edhe mospërputhjet në dosjen e Prokurorisë, për mënyrën se si i referohet Selimit: diku si person me kontroll operacional mbi policinë, ndërsa diku tjetër pretendon se ai kishte autoritet operacional mbi policinë, dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar persona.

“Ekziston një mungesë e tërë e dokumenteve operative të dërguara nga Ministria e Rendit Publik në drejtim të policisë, ose e kundërta, gjë e cila nuk vërteton përfshirjen e zotit Selimi, apo që ai ka pasur kontroll mbi policinë. Prokuroria nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e Selimit si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë dhe që ai është përgjegjësi për veprimet e personave tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu