Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar lidhur me mbylljen e NIS (Rafinerisë së Industrisë së Naftës). Ai u shpreh se ende nuk ka lajme të mira, apo ndryshim vendimi. Vuçiç theksoi se ndihet i zhgënjyer teksa shton se rusët nuk dëshirojnë ta shesin NIS-in.
“Lidhur me NIS, nuk kemi lajme të mira. Prisnim të merrnim një licencë për të vazhduar furnizimin nga OFAC, por nuk morëm një vendim pozitiv. Jo vetëm që jam i zhgënjyer, por jam edhe i befasuar sepse nuk shoh se çfarë fituan nga kjo. U përpoqa ta vendos veten në vendin e tyre dhe të shihja se çfarë po bënin, por nuk e kuptova. Është e qartë se rusët nuk duan ta shesin NIS-in”, tha Vuçiç. “Kjo është e drejta e tyre, ata janë pronarët. Gjëja tjetër është se ne kemi shumë probleme me të. Ashtu siç amerikanët nuk janë të interesuar për asgjë tjetër përveç interesave të tyre. Për momentin, vetëm Serbia po vuan dhe do të shohim se si do të shkojë”, shtoi presidenti serb. Vuçiç tha gjithashtu se JANAF nuk lejoi importin e naftës që nuk ishte menduar për rafinerinë në Pançevë, por për rezervat serbe. “Ata nuk besonin se ishte për magazinim, por për NIS-in. E refuzuan sepse donin të thoshin se nuk ishte vetëm NIS nën sanksione, por e gjithë Serbia është nën sanksione, derisa amerikanët thanë ndryshe”, u shpreh ai.
Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se Ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Đedović Handanović, do të informojë NIS-in se nuk ka indikacione që SHBA-të do të japin një licencë dhe kjo do të rezultojë në mbylljen e rafinerisë. “Ata humbasin 370,000 euro në ditë teksa funksionon kështu. Është puna e tyre kur duan ta mbyllin rafinerinë. Ne dhamë lejen për ta mbyllur”, tha Vuçiç, duke theksuar se Serbia ka karburant të mjaftueshëm sa për të mos u futur në krizë.










