Më 9 korrik në Kuvendin e RMV-së do të mbahet interpelanca për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese

Për interpelancën për punën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i paraqitur më 4 qershor nga grupi parlamentar i Frontit evropian, do të diskutohet në kuadër të seancës së 59-të të Kuvendit të planifikuar për 9 korrik. Sipas informacionit të disponueshëm në faqen zyrtare të Kuvendit, seanca pritet të fillojë në orën 11:00, raporton MIA.

Deputeti i Frontit evropian, Ilir Hasani, në konferencën për mediat shpjegoi se interpelanca është paraqitur për punën e Kostadinovskit në bazë të nenit 72, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës. Sipas Hasanit, Kostadinovski ka shkelur qëllimisht Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe nenin 101 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

“Dua të theksoj se kjo iniciativë nuk ka për qëllim të ushtrojë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, për dallim nga interpelancat e mëparshme që ishin qartazi me natyrë politike, por ka ndikim social dhe mediatik. Qëllimi ynë është të nisim një debat institucional për funksionimin e këtij institucioni dhe rolin e kryetarit të saj në respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese” tha Hasani, duke shtuar se Kostandinovski ka paragjykime ndaj gjuhës shqipe.

Ndryshe, pas shkarkimit të gjykatëses kushtetuese Elizabeta Dukovska, në Maqedoninë e Veriut vonohet zgjedhja e gjykatësit apo gjykatëses së re. Kjo zgjedhje pritet t’i hapë rrugën lëndës për Ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili mbetet peng i mungesës së përbërjes së plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN.

Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu