Më dhemb shumë/ Aktori Xhevdet Jashari: Më mirë thuaj jam serb, se kosovar, s’ka kosovarë, ka vetëm shqiptarë

Aktori i njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Xhevdet Jashari, i cili u bë i famshëm me rolin e “Arif Hikmetit” në serialin “O sa mirë”, është rikthyer në skenën e aktrimit pas një pauze pesëvjeçare.

Pas një qëndrimi në Gjermani, Jashari është rikthyer në rajon dhe i është bashkuar kastës së aktorëve në serialin e ri “Bashkallajk”, duke marrë vëmendje edhe për ndryshimin e madh në pamje.

Megjithatë, përveç rikthimit të tij artistik, Jashari ka tërhequr vëmendje të madhe me deklaratat e forta që ka dhënë në një intervistë për “Tëvë 1”.

Ai ka shprehur pakënaqësinë e thellë ndaj përdorimit të termit “kosovar”, duke e konsideruar atë si një produkt të propagandës serbe.

“Kosovar është serbisht. Kosovar janë ata që vetë fjala Kosovë vjen prej serbëve. Vetë fjala Kosovë, vjen prej serbëve. Duhet m’i ardhë shumë rond atij shqiptari që thotë ‘jam kosovar’. Ndarjes që i bëjnë, fatkeqësisht ka shumë, por për mua janë shumë pak. Më dhemb shumë kur dikush thotë kosovar, shumë shumë më dhemb”, – tha Jashari, me tone të ashpra dhe të ngarkuara emocionalisht.

Ai theksoi se e do shumë Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës, por se nuk pranon ndarjen identitare mes shqiptarëve, duke e parë si të rrezikshme dhe të dëmshme për unitetin kombëtar.

“Ç`ka me thonë unë që jam shqiptar i Maqedonisë, që e du Kosovën, i du shumë shqiptarët e Kosovës. Ç`ka me thënë ai i Preshevës. Ne jemi shqiptar. Nuk jemi serb, nuk jemi maqedonas. Mallkuar koftë ai që bën ndarjen e shqiptarëve, ai që thotë kosovar jena. Jo bre s’jeni kosovar.

Ma mirë thuj serb jam, se kosovar. S’je bre kosovar, ti je shqiptar. Terminologji që e ka shpik serbi e ti me pranu. Se di qysh e pranojnë qata. Secili njeri e ka të drejtën e vet me e shpreh qysh ndjehet”, tha aktori.

Gjithashtu, aktori theksoi se çdo njeri ka të drejtë të ndjehet si dëshiron, por se ai vetë e refuzon plotësisht përdorimin e termit “kosovar”, duke e cilësuar si një “terminologji që e ka shpik serbi”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu