Një fluks i shtuar automjetesh është regjistruar këtë të premte në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku mijëra tifozë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut kanë hyrë në territorin shqiptar për të ndjekur nga afër ndeshjen e shumëpritur Shqipëri-Serbi, që zhvillohet sonte në stadiumin “Air Albania”.
Pjesa më e madhe e tifozëve vijnë nga Kërçova, Struga, Tetova, Gostivari dhe qytete të tjera.
Të veshur me fanellat kuqezi dhe me simbole kombëtare, shumë prej tyre mbanin plisa në kokë, duke krijuar atmosferë festive që në kufi.
“Presim fitore. Shpresojmë që Jasir Asani dhe Bajrami të shënojnë sonte,” thanë për Euroneës Albania disa tifozë entuziastë, duke shprehur besimin e tyre për një paraqitje të mirë të kombëtares shqiptare.
Për të përballuar fluksin, autoritetet në Qafë Thanë kanë hapur tre sportele në hyrje dhe tre në dalje. Megjithatë, fluksi i lartë ka shkaktuar vonesa dhe radhë të gjata automjetesh.