Ushqimi i shpejtë në Maqedoninë e Veriut, dikur sinonim i zgjidhjes së lirë dhe praktike për një vakt të shpejtë, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në burim pakënaqësie për qytetarët, teksa çmimet i afrohen atyre evropiane, ndërsa të ardhurat mbeten modeste.
Në muajt e fundit, çmimet në objektet e fast-food-it janë rritur gradualisht: një hamburger arrin deri në 270 denarë, një cheeseburger rreth 280, ndërsa një pleskavicë “sharski” e kompletuar me patate dhe sallatë kalon kufirin prej 300 denarësh.
Për një vakt që konsumohet në këmbë ose në nxitim, kjo shumë nuk konsiderohet më e vogël. “Dikur me 100 denarë mund të ngopeshe. Sot, me aq nuk blen as pijen,” thotë një konsumator i rregullt, duke shtuar se gjithnjë e më shpesh heziton të hyjë në fast-food.
“Shtrenjtimi i lëndëve të para, energjisë, qirave dhe kostove të punës është reflektuar edhe në këtë sektor. “Industria e fast-food-it nuk është imune ndaj inflacionit. Mishi, vaji, buka – gjithçka është shtrenjtuar dhe diferenca zakonisht paguhet nga konsumatori,” thonë pronarë të fast-food-eve.
Pra, ushqimi i shpejtë vazhdon të shihet si i lirë, ndonëse realisht nuk është më i tillë. Për të njëjtën shumë, qytetarët mund të gjejnë menu ditore në restorante tradicionale, por pa avantazhin e shpejtësisë.
Nga ana tjetër, pronarët e fast-food-eve pranojnë se marzhet e fitimit nuk janë aq të larta sa duket. “Nëse nuk rrit çmimet, nuk mbijeton. Nëse i rrit, rrezikon të humbësh klientë,” thonë ata.
Për familjet, matematika është edhe më e ashpër: një vakt i shpejtë për katër persona kalon lehtësisht 1.200 denarë. Në një kohë kur kostoja e jetesës vazhdon të rritet, fast-food-i po humb avantazhin e tij kryesor – përballueshmërinë – duke lënë hapur pyetjen nëse shpejtësia e shërbimit justifikon 300 denarë për një sanduiç./INA/










