Ka disa ditë që është duke u raportuar për zyrtarizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Izraelit. E për këtë ka shkruar edhe mediumi i njohur i Izraelit, “Jerusalem Post”. Ky medium e ka rikonfirmuar që gjatë të hënës pritet të zyrtarizohen marrëdhëniet në mes dy vendeve.
Po ashtu, në këtë artikull thuhet se Kosova pritet të jetë vendi i parë me shumicë muslimane që do të ketë ambasadë në Jersualem.
“Kosova do të ishte vendi i parë me shumicë myslimane që do ta ketë ambasadën në Izrael, ajo dhe Serbia do të jenë vendet e para evropiane që e bëjnë këtë. Deri më sot, vetëm SH.B.A. dhe Guatemala kanë ambasada në Jerusalem. Shumica e vendeve kanë zgjedhur të vendosin ambasadat e tyre në zonën e Tel Avivit.”, thuhet në këtë artikull.
“Jerusalem Post” po ashtu tha se sipas burimeve të tyre, Serbia planifikonte që të hapte ambasadë në Jerusalem vetëm që Izraeli të mos e njihte Kosovën shtet.
“Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, megjithatë një burim diplomatik izraelit konfirmoi se Beogradi ishte i zhgënjyer me zhvillimet e fundit. Në shtator, burime të afërta me presidentin serb Aleksandar Vucic e bënë të qartë se nëse Beogradi hap një ambasadë në Jerusalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte Kosovën si shtet – megjithëse mund të mbante lidhje të nivelit më të ulët”, thuhet në artikullin e “Jerusalem Post”.









