Barcelona tashmë i ka bërë ofertë zyrtare Sergio Agüero, siç raportohet këtë të mërkurë nga “TyC Sports” në Argjentinë. Sulmuesi argjentinas, kontrata e të cilit me Manchester City skadon më 30 qershor, mund të jetë kështu një nga përforcimet e para të ekipit blaugrana, në funksion të sezonit të ardhshëm. Bëhet fjalë për një mik të ngushtë të Leo Messit në kombëtare, çka të të kuptohet se kapiteni nuk po planifikon të largohet nga “Camp Nou”. Mungesën e mikut tjetër, Luis Suarez, me gjasë ylli i Barcelonës do të kompensojë me bashkatdhetarin e vet.
Joan Laporta, gjithmonë sipas informacioneve të medias argjentinase në fjalë, dëshiron të bëjë bashkë Kun dhe Leo Messi. E ardhmja e kapitenit katalanas është ende e panjohur, por nënshkrimi i mundshëm i mikut të tij Agüero dhe planifikimi i mirë sportiv do të ishte, pa dyshim, garancia më e mirë e presidentit të ri për të bindur “10”. “Leo nuk udhëhiqet nga paratë”, – ka deklaruar shumë herë me forcë fituesi i zgjedhjeve të 7 marsit.
Këtë sezon, Agüero ka luajtur vetëm 331 minuta, të ndara në 11 ndeshje. Lëndimet janë duke e kufizuar atë, që ka shumë të ngjarë të jetë viti i tij i fundit në “Etihad Stadium”. Fundjavën e kaluar, pavarësisht se ishte në gjendje të përshtatshme fizike, Kun nuk luajti asnjë minutë në derbin e Manchesterit.









