Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë ka përfunduar pa një deklaratë të përbashkët. Siç shkruan mediumi serb, Tanjug, deklarata nuk u miratua pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi në momentin e fundit që në dokument të shkruhej “Republika e Kosovës”.
Sipas Tanjug, ajo deklaratë është harmonizuar ditë më parë.
Ky samit u karakterizua me përplasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq. Siç tha Kurti, polemika nisi pikërisht për çështjen e njohjes.
“Nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij. Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë, që në këtë mënyrë mban veten peng. Kosova e ka shpallur prej 13 vitesh pavarësinë nga Serbia, është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.









