Mela viziton Knauf në Gjermani, planifikohen investime të mëdha në Dibër

Me ftesë zyrtare të kompanisë Knauf, këto ditë u realizua një vizitë zyrtare dhe takim pune në selinë qendrore të kësaj kompanie në qytetin Iphofen të Gjermanisë. Knauf është një nga liderët botërorë në prodhimin e gipsit dhe produkteve ndërtimore, me mbi 320 fabrika në mbarë botën.

Vizita shënon herën e parë që një kryetar i Komunës së Dibrës viziton selinë qendrore të Knauf në Gjermani, duke reflektuar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Dibrës dhe kësaj kompanie ndërkombëtare. Në takimin e punës morën pjesë Tobias Stricket, drejtor për investime strategjike në nivel global, Thomas Krämer, menaxher teknik në nivel global, si dhe Blendar Sela, menaxher i fabrikës Knauf në Dibër.

Gjatë diskutimeve u shqyrtua funksionimi i fabrikës ekzistuese të Knauf në Dibër, investimet e realizuara deri më tani, si dhe planet për ndërtimin e një fabrike të re me kapacitete dukshëm më të mëdha, me një vlerë investimi të vlerësuar rreth 44 milionë euro.

Në kuadër të vizitës, delegacioni nga Dibra në krye me Fisnik Melën, vizitoi edhe fabrikën e Knauf në Iphofen, ku u njoh nga afër me proceset e prodhimit dhe standardet më të avancuara teknologjike. Theks i veçantë iu kushtua standardeve të larta të sigurisë dhe aplikimit të praktikave të njëjta globale në të gjitha fabrikat e kompanisë, çka garanton që çdo investim i ardhshëm në Dibër do të jetë në përputhje të plotë me standardet më të sigurta dhe moderne të industrisë.

Po ashtu, gjatë vizitës u zhvilluan biseda fillestare për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Dibrës dhe kompanisë Knauf në fusha me interes të përbashkët, me synim nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët.

Sipas Komunës së Dibrës, kjo vizitë konfirmon se Dibra vazhdon të jetë pjesë e projekteve serioze me vizion afatgjatë dhe investime konkrete për të ardhmen.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu