Memli Krasniqi: Kurti i papërgjegjshëm, frikësohet të marrë mandatin për krijimin e Qeverisë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, politikan të papërgjegjshëm dhe frikacak, pasi që sipas tij, Kurti po frikësohet të marrë mandatin për krijimin e Qeverisë, gjë që nuk ka ndodhur më parë nga asnjë fitues.

Në një intervistë për Express, Krasniqi ka thënë se Kurti është politikani më i papërgjegjshëm në skenën politike, i cili sipas Krasniqit, e ka dëshmuar në opozitë por edhe tani.

“Albin Kurti është politikani më i papërgjegjshëm në skenën tonë politike. Me vite të tëra e ka dëshmuar këtë në opozitë e po e dëshmon edhe tash me ikjen e tij nga papërgjegjësia që ka për krijimin e Qeverisë. Është për keqardhje kjo frikë e tij për të marrë mandatin gjë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e shtetit tonë”, ka thënë ai.

Krasniqi tutje ka shtuar se PDK nuk ndërron qëndrim për të qenë pjesë e opozitës, pasi që siç thotë ai, kjo parti nuk do të jetë pjesë e asnjë kalkulimi për krijimin e Qeverisë së re e cila është detyrë e VV’së dhe LDK’së.

“Qëndrimi i PDK’së për të qëndruar në opozitë është i qartë dhe i pandryshueshëm. Në asnjë mënyrë dhe ne asnjë opsion PDK nuk do të jetë pjesë e çfarëdo kalkulimi për krijimin e Qeverisë së re. Kjo është detyrë e VV’së dhe LDK’së dhe ne kërkojmë nga ta që sa më parë të përmbushin mandatin e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, derisa pritet që Qeveria e re të formohet, dy partitë fituese të zgjedhje të 6 tetorit, ende nuk kanë arritur marrëveshjen për bashkëpunim qeverisës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu