Mësuesja i linte nota të ulëta, suksesi i tij befason, renditet i treti në Ballkan për matematikë

Lorenc Bushi, maturant te “Petro Nini” fitoi medaljen e bronztë në Olimpiadën e 34-ë ballkanike të matematikës, të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë. Lorenci është nxënës i shkëlqyer, por matematiken e njeh përtej tekstit klasik në shkollë.

Historia e suksesit te tij ka një fillim të pazakontë. Mësuesja e matematikës në shkollën 9-vjeçare në Kavajë i vinte vetëm nota të ulëta.

“Prindërit më thoshin që kisha aftësi për të bërë shumëzime me numra të mëdhenj në moshën 4, 5 vjeç. Aty e kuptuan që unë e kisha një potencial në matematikë dhe prandaj u habitën kur panë që notat e mia nuk ishin të larta. Sot nuk kam kontakte me mësuesen në Kavajë dhe mendoj se do të habitej kur të shikojë ku kam arritur sot. Besoj se ajo thellë-thellë e dinte potencialin tim”, shprehet Lorenc Bushi, maturant.

Kjo ishte arsyeja pse familja e tij u shpërngul në Tiranë, ku Lorenci gjeti veten.

“Kam punuar te gjimnazi me profesorin tim, i cili e dalloi potencialin tim në matematikë dhe gjithmonë më ka ndihmuar me materiale jashtë shkollore”, thotë maturanti.

Me gjithë investimin shpirtëror dhe financiar të prindërve, Lorenci ja doli! 18-vjeçari e ka përfaqësuar Shqipërinë në disa olimpiada jashtë vendit, megjithëse shteti shqiptar nuk i përgjigjet atij.

“Shpenzimet e biletave i kanë prindërit e mi, shteti nuk e njeh shoqatën e matematikës, ndryshe nga çdo shtet që i rimburson”, thotë Lorenc Bushi.

Megjithëse i ri në moshë, Lorenci është i qartë për atë që kërkon dhe atë që meriton.

“Synimi im i radhës është olimpiada botërore. Në çdo olimpiadë marr pjesë për të fituar, por për të dhënë maksimumin tim”, thotë maturanti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu