Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi sot qeveria po i gjen zgjidhje problemit me medresantët, duke fajësuar BDI-në në qeverisjen e kaluar për mashtrime disavjeçare, transmeton Portalb.mk.
“Edhe kjo është një prej çështjeve me të cilën është manipuluar 30 vite. Është manipuluar zakonisht në fushata zgjedhore dhe nuk ka pas asnjëherë zgjidhje. Në zgjedhjet e fundit, para se të fillonte fushata zgjedhore ka pasur një lloj manipulimi nga ish qeveria, nga opozita e tanishme shqiptare kinse ka bërë zgjidhje por vetëm ka qenë një manipulim për poltikë ditore për të përfituar vota, mirëpo kjo është e kaluar. Qasja jonë është jo politikë ditore po zgjidhje ligjore”, tha Mexhiti.
Kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese më 30 prill hodhi poshtë Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fshati Kondovë, Shkup, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars 2024. Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame BFI të jetë themeluese e një shkolle të mesme-gjimnaz.
Ministrja për arsim dhe shkencë, Vesna Janevska, vitin e kaluar kishte deklaruar se maturantët e kësaj medrese nuk do të mund të regjistrohen në fakultetet tjera. Më 26 mars të vitit 2024, ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, kishte njoftuar që problemi me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresesë Isa Beu” ishte zgjidhur nga Qeveria. Medresantët paraprakisht kishin reaguar disa herë duke kërkuar që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend.