Mickoski: Prokuroria të hapë procedurë! Dyshon edhe në Pendarovskin për përfshirje në pretendimet e Zhan Mitrev

Kryeministri Hristijan Mickoski i bëri thirrje Prokurorisë Publike të nisë hetim lidhur me pretendimet e kardio-kirurgut Zhan Mitrev, se gjatë pandemisë Venko Filipçe bashkë me Zoran Zaev kanë tentuar t’ia marrin spitalin. Mickoski shprehu dyshime edhe për ish-presidentin Stevo Pendarovski.

“E dini se ende qëndrojnë ato akte ligjore dhe vendime të Stevo Pendarovskit nga ajo periudhë që nuk janë shqyrtuar në Kuvend. Duhet të shohim që Kuvendi të prononcohet në periudhën në vijim, nëse këtu ekziston ndonjë përgjegjësi e ish-presidentit Stevo Pendarovski, para ligjit dhe Kushtetutës, sepse ka dyshime të bazuara se një pjesë e madhe e atyre vendimeve janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Prandaj do të pres të shoh nëse Prokuroria do të veprojë sipas zërit publik”, tha Mickoski.

Reagoi në Facebook, ish-presidenti Stevo Pendarovski i cili u shpreh se, edhe pse nuk kishte ndërmend t’i përgjigjej Mickoskit për të mbuluar, siç thotë ai, rezultatet katastrofale, megjithatë sqaroi se Gjykata Kushtetuese më shumë se 5 vjet më parë kishte konfirmuar se vendimet për gjendje të jashtëzakonshme ishin në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

“Dispozitat me fuqi ligjore i miratonte dhe i zbatonte Qeveria. Nëse aty ka pasur keqpërdorime, institucionet shtetërore, që tani janë nën kontroll total të Mickoskit, mund ta verifikojnë kur të duan, nëse duan. Unë e kam të qartë se as ky shpjegim nuk do ta ndalojë Mickoskin që të vazhdojë pa bazë të akuzojë dhe të shpifë, sepse, për fat të keq, kjo është mënyra e vetme me të cilën ai është mësuar të qeverisë”, deklaroi Pendarovski.

Nga LSDM, përmes një njoftimi, thonë se kryetari i tyre Venko Filipçe është cak i gënjeshtrave dhe trillimeve nga VMRO-DPMNE, me qëllim që të shpërqendrohet opinioni nga problemet në vend. Filipçe dje paralajmëroi padi ndaj partisë.

“VMRO ka kaluar çdo kufi dhe unë këtë nuk do ta lejoj. Kjo nuk është politikë dhe besoj se tashmë për të gjithë në Maqedoni është e qartë se çfarë po bëjnë. Nuk ka përgjigje për pyetjet reale: për vrimën prej 2 miliardë eurosh në Buxhet, pse nuk ka para për rritjen e pagave dhe pensioneve, për migrantët, për kapitalin e zi përmes bankës ‘Alta’, për procedurat e korruptuara të tenderëve në gjithë shtetin dhe për pagesat e njerëzve për t’i mbështetur”, tha Filipçe.

Këto reagime të ashpra politike vijnë pasi ditëve të fundit Zhan Mitrev, në një intervistë televizive, deklaroi se gjatë krizës me koronavirusin kishte presione nga Zaev dhe Filipçe që t’ua dorëzonte spitalin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu