Milan, Inter, Juventus: Zërat e fundit të merkatos nga Italia

Milan, Inter e Juventus janë gjithë kohën në merkato dhe në këto klube pritet të ketë afrime dhe largime. Së fundmi ka shumë zëra. Drejtuesit kuqezinj kanë shënjestruar sulmuesin e Genoas, Gianluca Scamacca, i cili në fakt është i huazuar nga Sassuolo. Italiani konsiderohet si zëvendësuesi ideal për Zlatan Ibrahimovic dhe këtë fakt e konfirmojnë statistikat e tij, pasi ka shënuar gjashtë gola në shtatë ndeshje për Genoan këtë sezon.

Ndërkohë nga ana tjetër Hakan Calhanoglu është gjithmonë e më larg Milanit. Negociatat ende vazhdojnë mes palëve, por nuk po gjehet gjuha e përbashkët. Destinacioni më i mundshëm për turkun është Manchester United dhe një kalim në Premier League mund ta tundojë lojtarin.

Nga ana tjetër Juventus vazhdon të kërkojë një mesfushor. Sipas raportimit të “Calciomercato.it”, i piketuari nga drejtuesit është Mahmoud Dahoud i Borussia Dortmund. Kartoni i tij vlerësohet diku tek 12 milionë euro dhe ai tashmë është në listën e dëshirave të “Zonjës së Vjetër”.

Gjithashtu ka lëvizje dhe tek Interi. Mesfushori zikaltër, Christian Eriksen, ka disa kohë që e kërkon largimin dhe karriera e tij mund të vazhdojë në Londër. Këtë herë jo te Tottenham, por tek rivalët e Arsenal. Drejtuesit e Interit mund të bëjnë një ulje për kartonin e tij, që mund t’i kushtojë arkave të “Topçinjve” vetëm 13 milionë euro, ashtu siç raporton “todofichajes.com”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu