Ministri i Administratës Publike në Maqedoninë e Veriut, Goran Minçev theksoi në një konferencë për mediat se popullsia rezidente në vend do të jetë baza e metodologjisë për punësimin e qytetarëve nga komunitetet në sektorin publik. Ai me këtë lë për të kuptuar se në fuqi mbetet vendimi që e solli me ardhjen në këtë dikaster dhe që përfaqësimin sa i përket shqiptarëve si komuniteti i dytë në vend e njihte vetëm deri 24.3% në bazë të popullsisë që janë rezident, dhe jo 29.5% përfshirë edhe ata rezident. Por me anulimin e metodologjisë ndarëse në rezident dhe jorezident nga Gjykata Kushtetuese, tashmë shifra zyrtare e shqiptarëve në RMV sipas regjistrimit të 2021 është 29.5%.
“Ne kemi vizion për të bërë zgjidhje serioze që nuk do ta rrënojë mundësinë për barabarësi në punësime të të gjitha komuniteteve në RMV, që sërish mos të jetë lëndë e Gjykatës Kushtetuese. Sa i përket qëndrimit tim si ministër unë marr për bazë popullsinë rezidente, atë që jeton këtu”, theksoi Minçev.
Minçev që vjen nga radhët e partisë minore ZNAM u ankua se rreth 40% e punonjësve në sektorin publik nuk punojnë fare dhe janë të punësuar pikërisht për shkak të nepotizmit, përkatësisë partiake dhe etnike. Për këtë qëllim, në administratën publike do të futet një sistem i ri vlerësimi, përgjegjësie disiplinore dhe shpërblimesh.
Edhe pse projektligji për përfaqësim të përshtatshëm dhe të barabartë nuk është dërguar ende në Komisionin e Venedikut, Minçev shpreson se ata do të japin mendimin e tyre atje së shpejti./INA/