“Mini-Shengeni Ballkanik nuk ka linja të qarta të komunikimit”

Sipas një hulumtimi nga Demokraci për Zhvillim (D4D), në pyetjen se si kosovarët e shohin vendimin e Kosovës që t’i bashkohet iniciativës për mini-Shengen Ballkanik, 38 për qind e tyre janë përgjigjur se ishte një vendim i gabuar i Kosovës, ndërsa në anën tjetër vetëm 17 për qind e qytetarëve deklaruan se ishte një vendim i mirë apo shumë i mirë për vendin.

Hulumtimi me qytetarë i realizuar në dhjetor të vitit të kaluar nga D4D kishte për synim shqyrtimin e fillimeve të mini-Shengenit si iniciativë rajonale dhe analizimin e së ardhmes së kësaj ideje.

Autori i hulumtimit, Visar Xhambazi, tha se mini-Shengeni u iniciua nga liderët e Ballkanit Perëndimor për të shtyrë përpara në mënyrë pro-aktive bashkëpunimin rajonal ekonomik përderisa dera e Bashkimit Evropian (BE) të mbetet jo-evidente.

Mos informimi i mjaftueshëm i qytetarëve rreth këtij procesi, sipas Xhambazit ka qenë një dukuri shqetësuese.

“Kur i pyetëm qytetarët se sa kanë informacion rreth Mini-Shengenit Ballkanik, numri i atyre të cilët thanë se ishin jo të informuar mirë apo pak të informuar ishte 38 për qind, ndërsa vetëm 18 për qind e qytetarëve deklaruan se kanë qenë të informuar apo të informuar mirë. Do të thotë se mini-Shengeni si iniciativë ka dështuar edhe të informojë qytetarët dhe të tregojë një strukturë se si do të implementohet dhe cila është përbërja e saj në substancë”, theksoi Xhambazi.

Xhambazi tha se mini-Schengeni Ballkanik përfshin edhe aspektin e lirisë së mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve, që sipas tij është dobësi, ndryshe nga Shengeni i vendeve të BE-së i cili parasheh vetëm lirinë e njerëzve.

Po kështu, sipas tij, Mini-Shengeni Ballkanik nuk ka linja të qarta të komunikimit dhe ka dështuar të marrë mbështetjen e nevojshme politike.

Sipas këtij hulumtimi, Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) në ekonomi është alternativë më e mirë për rajonin, duke marrë parasysh gjendjen aktuale në Ballkan.

Hulumtimi në fjalë shpjegoi dallimet kryesore midis mini-Shengenit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) duke ofruar një skenar të mundshëm se si do të duket e ardhmja e mini-Shengenit, duke marrë parasysh gjendjen aktuale.

Ideja e Mini-Shengenit Ballkanik u prezantua nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët nënshkruan deklaratën e kësaj ideje më 10 tetor të vitit 2019 në Novi Sad të Serbisë.

Kjo ide u nis mbi premisën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Deri më tani vetëm katër vende janë bashkuar, respektivisht Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe Kosova. Dy vendet e mbetura, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, kanë deklaruar se do të qëndrojnë jashtë kësaj iniciative mbi premisën se mini-Shengeni dhe integrimi evropian përjashtojnë njëra-tjetrën, gjë e cila ka krijuar pengesa drejt zbatimit të iniciativës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu