Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencën me gazetarët ka dhënë detaje lidhur me tragjedinë e rëndë që ndodhi në spitalin modular kovid në Tetovë, ku nga shpërthimi i zjarrit humbën jetën 14 veta.
Ministri Filipçe theksoi se ndjen keqardhje të thellë për ngjarjen që ndodhi dhe se autoritetet shëndetësore do të marrin të gjitha përgjegjësitë, por do të presin që të përfundojnë hetimet.
Ai ka komentuar edhe zërat për dorëheqje, ku tha se për një gjë të tillë nuk ka menduar tani.
“Sot ka pasur shumë thirrje për dorëheqjen time, por dua ta informoj opinionin se nga përgjegjësia nuk iki, por do të pres që të përfundojnë hetimet, dhe se më pas do të sjell vendim se a do të dorëhiqem”, theksoi ministri Filipçe.
Ai për shumë pyetje tha se pret që të përfundojnë hetimet nga ana e institucioneve kompetente. Sipas tij, është shumë rëndë që të përshkruhet me fjalë pesha dhe dhimbja që ka ndjerë me këtë ngjarje, duke i shprehur ngushëllime të thella familjeve.
Ai informoi se në ngjarjen tragjike jetën e kanë humbur 14 veta, të moshave prej 29 deri 79 vjeç. Në spitalin modular ka pasur 26 pacientë, 2 mjekë dhe 4 infermiere. 12 pacientë janë në trajtim mjekësor në Klinikën e Tetovës dhe se nuk kanë pasoja nga zjarri. /INA









