Ministri serb i Kosovës, Dalibor Jevtiç, që nga pranvera e vitit 2018 vazhdon ta bojkotojë punën e Qeverisë dhe nuk ka hequr dorë nga paga dhe benefitet e tjera që sjellin dy pozitat që i ushtron njëkohshëm dhe prej të cilave ka thënë se ishte dorëhequr ajo e zëvendëskryeministrit dhe pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim.
Gjatë gjysmëmandatit, si i vetëm në ministri, ka shpenzuar 77.269.71 euro dhe 5.256.36 euro si zëvendëskryeministër. Sipas raportit, nga buxheti i Kosovës, shtetësinë e së cilës e kanë kontestuar ai dhe Lista Serbe, parti së cilës i takon, për 24 muaj ministri Jevtiç ka realizuar 58.809.76 euro si pagë. Veç këtyre, edhe 1.132.2 euro i ka arkëtuar si mëditje.
Ai ka bërë saktësisht 18.459.95 euro shpenzime përtej pagës. Vetura zyrtare me të cilën ka lëvizur ka shpenzuar gjithsej 7.383 litra derivate, kostoja e të cilave është 8.564.28 euro. Krahas kësaj, në tryezë i ka lënë 2.491 euro, sa janë shpenzimet e tij në dreka e darka zyrtare, si dhe ka faturë totale 1.536.63 euro të telefonatave në vlerë. Ai ka bërë edhe shpenzime nëpërmjet kredit kartelës, e cila u mundëson ministrave të kenë qasje në fonde publike – nga ajo ka shpenzuar 4.735.84 euro.