Ministria e Diasporës: Mërgimtarë, shmangni vendkalimin kufitar në Merdar!

Ministra e Diasporës u ka bërë thirrje mërgimtarëve kosovarë që jetojnë në shtetet e Evropës që të shmangin vendkalimin kufitar në Merdar kur udhëtojnë për në Kosovë.

Ministria shpjegon se në këtë pikë kufitare janë duke u zhvilluar punimet për ndërtimin e terminalit të ri, prandaj mund të ballafaqohen me pritje të gjata.

“Për shkak të punimeve në terminalin e ri, por edhe për shkak të përqendrimit  që ndodh në Merdar gjatë ardhjes së mërgimtarëve, ajo pikë kufitare mund të jetë më problematikja  sa u përket pritjeve, andaj Ministria e Diasporës, në konsultim me Policinë e Kosovës, rekomandon që, aq sa ka mundësi, të shmanget ajo pikë dhe të shfrytëzohen pikat e tjera kufitare”, thuhet në komunikatn e kësaj ministrie.

Ministria e Diasporës i udhëzon mërgimtarët që para se ta marrin rrugën për në Kosovë, ta konsultojnë vebfaqen e Qendrës Kombëtare të Menaxhimit Kufitar, e cila për çdo ditë pasqyron situatën në pikat kufitare.

“Meqë tash është koha e pushimeve, kur bashkatdhetarët vijnë në atdhe, Ministria e Diasporës u rekomandon që paraprakisht, para se ta marrin rrugën për në Kosovë,  ta konsultojnë vebfaqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme,  përkatësisht  Qendrën kombëtare të menaxhimit kufitar, e cila për çdo ditë pasqyron situatën në pikat kufitare, duke treguar edhe për kohën e pritjes.

Duke konsultuar këtë faqe, bashkatdhetarët do të kenë mundësi të kalojnë aty ku e kanë më lehtë dhe ku nuk krijohet kolonë e gjatë pritjeje’, thuhet në komunikatë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu